RTSH 24 Live

Politikë

Dhuna në Kuvend, PS kërkesë Spiropalit: Përjashtoni 24 deputetët e PD-së

01/10/2024

Dhuna në Kuvend, PS kërkesë Spiropalit: Përjashtoni 24 deputetët e PD-së

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka kërkuar përjashtimin  e 24 deputetëve të Partisë Demokratike, pas dhunës dhe tensioneve të krijuara në Kuvend gjatë seancës së 30 shtatorit.

Me një letër depozituar në Kuvend për kryetaren Elisa Spiropali, PS thekson se disa nga deputetët demokratë nuk lejuan zhvillimin normal të seancës duke dëmtuar pajisjet elektronike dhe bllokuar foltoren. Gjithashtu, PS shton se në drejtim të kryetares së Kuvendit janë hedhur sende duke i rrezikuar jetën si dhe djegien e karrigeve jashtë godinës.

Krahas renditjes së emrave të 24 deputetëve të PD-së, grupi i PS kërkon mbledhjen e sekretariatit të Etikës për marrjen e masave disiplinore ndaj tyre.

“Seanca 30.09.2024 nisi me tensione dhe dhunë nga deputetët e opozitës, sjellje këto të cilat cenuan zhvillimin e rregullt të seancës plenare, në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendin dhe Kodin e Sjelljes së Deputetit.

Deputetët e opozitës që në nisje të seancës i janë  drejtuar foltores duke e bllokuar dhe duke u konfliktuar fizikisht me punonjësit e Gardës së Republikës.

Deputetët Gazment Bardhi, Flamur Noka, Bledion Nallbati goditën me mjete shumë të forta drejt Kryetares së Kuvendit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, mjete të cilat mund të rrezikonin dhe jetën, dhe vënia në rrezik e jetës brenda sallës së Kuvendit të Shqipërisë është e papranueshme.

Deputetët e opozitës vijuan kaosin në sallë duke nxjerrë jashtë nga salla e parlamentit karriget të cilave më pas u vendosën flakën duke rrezikuar kështu përhapjen e flakëve në godinë.

Tensionet e krijuara në sallë penguan deputetët e mazhorancës që të mbanin fjalën e tyre, të cilët ishin regjistruar për të diskutuar në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, sipas rendit të ditës. Deputetët Gazment Bardhi, Flamur Noka dhe Bledion Nallbati nuk lejuan që deputetët Erion Braçe dhe Petro Koçi të mbanin fjalët e tyre duke i marrë kartën dhe dëmtuar pajisjen elektronike. Deputetët gjithashtu kanë tentuar të mos lejojnë të mbante fjalën dhe Kryetari i grupit Niko Peleshi dhe Nënkryetari i Grupit Toni Gogu duke krijuar tensione. Këto sjelle dhe veprime të rënda kanë cenuar rëndë parimet dhe vlerat parlamentare. Këto situata të rënda kanë dëmtuar jo vetëm imazhin e Kuvendit si institucioni më i lartë ligjvënës i vendit, por edhe pengojnë përmbushjen e funksioneve të tij të rëndësishme. Veprimet e deputetëve të opozitës janë më shkelje e hapur dhe flagrante e detyrave të tyre si përfaqësues të popullit dhe bien ndesh me normat e mirësjelljes dhe etikës parlamentare”, thuhet në kërkesën e PS.

Në seancën parlamentare të 30 shtatorit, opozita krijoi një skenar dhune në Kuvend për shkak të arrestimit të deputetit demokrat Ervin Salianji, i cili u dënua me 1 vit burg për “kallëzim të rremë”.

Deputetët e PD për të cilët kërkohet përjashtimi:

1.Gazment Bardhi

2.Flamur Noka

3.Bledion Nallbati

4.Edi Paloka

5.Saimir Korreshi

6.Lefter Gështenja,

7.Luan Baçi

8.Dashnor Sula

9.Agron Gjekmarkaj,

10.Dhurata Çupi,

11.Xhelal Mziu,

12.Ina Zhupa,

13.Zheni Gjergji

14.Helidon Bushati

15.Lindita Metaliaj,

16.Ramadan Lika,

17.Asllan Dogjani,

18.Qani Xhafa,

19.Flamur Hoxha,

20.Isuf Çela

21.Kastriot Piroli

22.Lodovik Hasani,

23.Kasem Mahmutaj,

24.Edmond Spaho

/rtsh.al/