RTSH 24 Live

Serbi

Dështon konstitutimi i Kuvendit të Beogradit, opozita bllokon seancën me banderola

19/02/2024

Dështon konstitutimi i Kuvendit të Beogradit, opozita bllokon seancën me banderola

Mungesa e kuorumit dhe protesta e partive opozitare bënë të hënën që Asambleja e Beogradit ta shtyjë për 1 mars seancën e konstitutimit.

Këshilltari më i vjetër i Asamblesë, Aleksandar Sapiq, deklaroi se qytetarët mund t'u drejtohen sërish kutive të votimit nëse në dhjetë ditë e ardhshme nuk konfirmohet "shumica legjitime e Asamblesë së qytetit". 3 marsi është dita e fundit për formimin e kuvendit të ri lokal.

Në fillim të seancës konstitutive, këshilltarët opozitarë të "Serbia kundër dhunës" dolën me banderola që tregonin akuzat për vjedhjen e zgjedhjeve dhe kërkesën që ato të përsëriten.

Partia Progresive Serbe dhe aleati i saj, Partia Socialiste e Serbisë, janë shpallur fituese dhe kanë marrë 54 nga 110 karriget e Asamblesë. "Serbia kundër dhunës" ka siguruar 43 vende, koalicioni NADA, 7 vende, dhe 6 karrige do i shkojnë partisë "Ne, zëri i popullit".

Parlamenti Europian miratoi më 8 shkurt një rezolutë, duke kërkuar një hetim ndërkombëtar për parregullsitë e pretenduara gjatë zgjedhjeve, për keqpërdorim të fondeve publike dhe për mbulim mediatik të pabarabartë që favorizonte progresistët e presidentit Vuçiq. /N1, RSE

/rtsh.al/