RTSH 24 Live

Kosovë

Dëshmitarët po ndërrojnë jetë, Kurti i kërkon sistemit të drejtësisë që të adresojë me urgjencë krimet e luftës

02/04/2024

Dëshmitarët po ndërrojnë jetë, Kurti i kërkon sistemit të drejtësisë që të adresojë me urgjencë krimet e luftës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje sistemit të drejtësisë që të adresojnë me urgjencë krimet e luftës. Ai tha se krimet e luftës asnjëherë nuk vjetërsohen, por sipas tij është e rëndësishëm që ato të adresohen sa më shpejtë, pasi dëshmitarët po vjetërsohen dhe po vdesin.

Kurti bëri të ditur se vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti policia e Kosovës ka intervistuar 169 dëshmitarë të krimeve të luftës.

Derisa gjatë vitit 2023 hetuesit e krimeve të luftës i kanë intervistuar 191 dëshmitarë me rritjen e numrit të hetuesve vetëm në këta muajt e parë të vitit 2024 janë intervistuar 169 dëshmitarë të krimeve të luftës. Kemi mundësuar gjykimin në mungesë të krimeve të luftës, gjatë këtij mandati kemi bërë ndryshimet e nevojshme ligjore që kriminelët e luftës të përballen me drejtësi. Andaj nga këtu i bëj thirrje sistemit të drejtësisë për adresim me urgjencë për rastet e krimeve të kryera gjatë luftës", tha Kurti.

Muaj më parë Kurti qe shprehur se “Kosova ende nuk e di dëmin ekonomik, emocional dhe psikologjik që ka shkaktuar lufta e fundit. Në luftën e fundit në Kosovë, forcat serbe kanë vrarë më shumë se 13.000 persona dhe mbi 6.000 vazhdojnë të jenë të zhdukur. Prej përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX). Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

Gazetar: A. Mata

/RTSH/