RTSH 24 Live

Aktualitet

Deputeti Luan Baçi në SPAK: U rikallëzova për fshehje pasurie nga “patronazhisti bravist”

01/11/2024

Deputeti Luan Baçi në SPAK: U rikallëzova për fshehje pasurie nga “patronazhisti bravist”

Deputeti demokrat Luan Baçi është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme këtë të premte, për një kallëzim të ri ndaj tij për fshehje pasurie.

Në një deklaratë për mediat, deputeti Baçi tha se i është përgjigjur pyetjeve të hetuesit të BKH-së për një rikallëzim të ri për të njëjtën çështje të mbyllur më parë, për fshehje pasurie.

“Në cilësinë e një deklarate, një deklarues. Për një kallëzim që e ripërsërit vit pas viti një patronazhist bravist, por pak e çuditshme është në fakt gatishmëria e SPAK, e organizatës anti-opozitë, për të thirrur çdo deputetë apo eksponentë të opozitës për çdo kallëzim sado qesharak është ai”, tha Baçi.

Deputeti Baçi e cilëson kallëzuesin e tij si “patronazhist bravist” duke aluduar se është mbështetës i Lulëzim Bashës, ndërsa thotë se është qesharake që SPAK merret me kallëzime të tilla kur çështje është hetuar dhe mbyllur njëherë.

Baçi pretendon se hetimet ndaj tij për fshehje pasurie janë kryer dhe se nuk është gjetur në asnjë shkelje.

“Më duket se jam prononcuar, ka qenë një kallëzim dhe është pushuar si çështje. Është hetuar pasuria ime fill e për pe në të gjitha detajet pa asnjë lloj problemi. Unë hyj te njerëzit me transparencë të plotë të punëve të miat dhe biznesit tim. Është mbyllur njëherë, është hetuar me muaj të tërë dhe është mbyllur. I njëjti kallëzues ka ardhur përsëri dhe ka bërë përsëri të njëjtin kallëzim. Unë ju përgjigja dhe SPAK, si i vëmendshëm shumë që është, e rihap çështjen që është mbyllur njëherë”, u shpreh deputeti.

Deputeti Luan Baçi është paraqitur në dyert e SPAK edhe herë të tjera lidhur me kallëzimin për fshehje pasurie nga biznesmeni Aredin Behari. Në kallëzimin e tij, Beahri pretendonte se deputeti nuk ka deklaruar investimet e tij të kryera në vitet 2010-2012, në një kompleks turistik në Vlorë.

/rtsh.al/