RTSH 24 Live

Politikë

Deputetët presion Gazment Bardhit: Berisha të rikthehet në grupin parlamentar

17/04/2024

Deputetët presion Gazment Bardhit: Berisha të rikthehet në grupin parlamentar

Disa deputetë i kërkuan Gazment Bardhit në mbledhjen e Grupit Parlamentar, t’i drejtohet sërish Kuvendit për të përfshirë edhe Sali Berishën, si anëtar të Grupit Parlamentar.

Ata i kanë thënë Bardhit se kërkesa e depozituar në Kuvend, pati hapërsira për keqinterpretime, ndaj i duhet drejtuar parlamentit sërish për të bërë pjesë të grupit, Sali Berishën.

“Duhet bërë një kërkesë tjetër ku të përcaktohet lista e deputetëve që kanë dalë nga zgjedhjet e 25 prillit të vitit 2021 dhe emër mbiemër të çdo deputeti”, tha deputeti Luan Baçi. 

Në mbledhjen me dyer të mbyllura mësohet se Gazment Bardhi ka marrë përsipër këtë iniciativë, në konsultë sipas tij edhe me Berishën.

“Ky është grupi parlamentar i PD-së që ka kryetar Sali Berishën. Çdo çështje tjetër ku Edi Rama tenton të provokojë opozitën dhe të fusi të gjithë këtë histori në absurditete të paimagjinueshme do t’i duhet të përballet me pasoja. E ripërsëris se ky është grupi parlamentar i PD-së që ka kryetar Sali Berishën”, tha Bardhi.

Kuvendi pranoi kërkesën e Bardhit për të bërë pjesë të grupit deputetët e përjashtuar nga Basha, ndërsa për Sali Berishën, u refuzua, pasi ai nuk ishte regjistruar si anëtar i grupit parlamentar, që në nisje të legjislaturës.

Edhe pse Bardhi argumenton se kërkesa e tij edhe pse pa emra përfshinte deputetët e vetëdeklaruar, sërish Kuvendi e konsideron Berishën, si deputet të pavarur.

Gazetare: Anisa Kadesha

/rtsh.al/