RTSH 24 Live

Politikë

Hasani në Bruksel: Shqipëria e vendosur në forcimin e vlerave demokratike

30/04/2024

Hasani në Bruksel: Shqipëria e vendosur në forcimin e vlerave demokratike

Ministri i Jashtëm Igli Hasani ka theksuar se Shqipëria është e vendosur në ndjekjen e axhendës së saj për integrimin në BE dhe forcimin e vlerave demokratike në vend.

Gjatë një takimi jozyrtar në Bruksel të Këshillit të Çështjeve të përgjithshme, Hasani theksoi dhe reformën e thellë në drejtësi që është bërë dhe po vijon në vendin tonë.

“Në takimin jozyrtar ministror të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme në Bruksel, ritheksova angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për axhendën e integrimit në BE. Rruga e reformave të vazhdueshme, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës, të cilën Shqipëria e ka udhëhequr përmes një reforme gjithëpërfshirëse dhe transformuese në drejtësi, mbetet vendimtare për forcimin e vlerave demokratike dhe sigurimin e progresit ekonomik. Ne presim me padurim zbatimin e shpejtë dhe në kohë të Planit të Rritjes, si pjesë e integrimit të përshpejtuar dhe jemi gati për të filluar negociatat për grupin themelor”, tha hasani.

Takimi i ministrave të BE-së i kushtohet 20 vjetorit të zgjerimit të BE-së, kur 10 shtete të reja anëtare u bashkuan me BE-në (2004).

Axhenda e takimit përfshin procesin e zgjerimit të BE-së dhe diskutimin e mësimeve të valës së mëparshme të zgjerimit. Vëmendje e veçantë do t'i kushtohet forcimit të BE-së dhe mjeteve të saj, duke përfshirë sundimin e ligjit.  

/rtsh.al/