RTSH 24 Live

Politikë

Deputetët e PD-së takojnë eurodeputetë të “Renew Europe”, Bardhi: Rama synon asgjësimin e opozitës  

3 orë para

Deputetët e PD-së takojnë eurodeputetë të “Renew Europe”, Bardhi: Rama synon asgjësimin e opozitës  

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, gjatë një takimi në Parlamentin Evropian me përfaqësues të grupit parlamentar “Renew Europe”, deklaroi se “në Shqipëri po synohet asgjësimi i opozitës.”

Në takim me eurodeputetët, Sandro Gozi dhe Oihane Agirregoitia Martínez, ishin të pranishëm edhe deputetët e PD-së Flamur Noka, Jorida Tabaku, Agron Gjekmarkaj dhe Albana Vokshi. Takimi zhvillohet një ditë para protestës së PD para Parlamentit Evropian.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi shkruan se në këtë takim pati një informim të plotë mbi situatën në Shqipëri, me dy mbështetës të të ardhmes evropiane të vendit.

“Është e paimagjinueshme për çdo mik evropian të Shqipërisë, që të perceptojnë se vendi ynë, edhe pse vend kandidat për në BE, ka ekzekutuar shtetin ligjor, ka asgjësuar balancën mes pushteteve, dhe ka eleminuar zgjedhjet e lira. Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që ndërkohë që qeveriset me prova të pakontestueshme nga krimi i organizuar, deri në pikën që organizatat kriminale diktojnë edhe vendet e kandidatëve për deputet në listën e PS, pushteti i kriminalizuar i Edi Ramës synon asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike të lidershipit të opozitës, duke na rikthyer 34 e më shumë vjet pas dhe duke vënë në pikëpyetje serioze demokracinë", shkruan Bardhi në rrjetet sociale.

/rtsh.al/