RTSH 24 Live

Politikë

Dënimi i grupit të deputetëve, Çupi: Edhe sot, pas 77 vitesh, mbetet një kujtim i dhimbshëm

13/10/2024

Dënimi i grupit të deputetëve, Çupi: Edhe sot, pas 77 vitesh, mbetet një kujtim i dhimbshëm

Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi në një postim në rrjetet sociale, ka rikujtuar dënimin e grupit të deputetëve nga regjimi komunist para 77 viteve. Sipas saj, ajo ishte një ditë e trishtë dhe vendimtare për Shqipërinë e atëhershme, që edhe sot, pas 77 vitesh, mbetet një kujtim i dhimbshëm.

“Në respekt dhe në kujtim të atyre burrave të mençur, të atyre që guxuan të mendonin ndryshe në një kohë kur çdo mendim i lirë ndëshkohej ashpër. Një ditë e trishtë dhe vendimtare për Shqipërinë e atëhershme, që edhe sot, pas 77 vitesh, mbetet një kujtim i dhimbshëm”, shkroi Çupi

Çupi kujtoi edhe aktakuzën ndaj tyre që ishte “Rrëzimi me forcë i pushtetit popullor”! “Për veprën e tradhtisë së lartë për rrëzimin e shtetit demokratik shqiptar…” dënohen: me vdekje, me pushkatim!”.

Deputetja demokrate theksoi se, “ata ishin “Grupi i deputetëve”, opozita e parë dhe e vetme që lindi në Shqipërinë e sapoformuar komuniste; Intelektualë dhe liberalë, të diplomuar në universitetet e Perëndimit; Deputetë të Parlamentit shqiptar, disa prej tyre të propozuar si kandidatë të Frontit Demokratik; Iniciatorë për të ndalur revanshin komunist dhe për të penguar miratimin e projektkushtetutës së parë komuniste; Kundërshtarë të shtetit diktatorial të Enver Hoxhës”.

Çupi shtoi se, Sigurimi i Shtetit e dinte mirë këtë dhe veproi shpejt, pa humbur kohë, duke i shtypur zërat e tyre të lirë me egërsi.

“Ata ishin 40  mendje të hapura, emra të spikatur, zëra të kthjellët në mes të rrëmujës së kuqe që po mbulonte Shqipërinë. Pas një muaji gjyq, deri në momentet e fundit, ata mbajtën shpresën se ish-kolegët e tyre parlamentarë do t’u falnin jetën. Por, shpresë e kotë… Ashtu si vetëm komunistët dinë të bëjnë, lutjet e tyre u refuzuan me ashpërsi”, nënvizoi Çupi.

Çupi shtoi se ishin 16 të ekzekutuar me vdekje, në një listë prej 40 të dënuarish

“Në orët e para të mëngjesit të 10-12 tetorit 1947, skuadra e pushkatimit i çoi në zonën e Malit me Gropa, ku u ekzekutuan. Kujtesë për mos harresë, a mund të mendosh dhe veprosh i lirë në demokraci? Jo në Shqipëri! As dje, as sot, dhe e nesërmja duket në muzg!”, theksoi Çupi.

/rtsh.al/