RTSH 24 Live

Ekonomi

Debate në Komisionin e Ekonomisë, KLSH kërkon shkarkimin e Drejtoreshës së “Buxhetit”

23/07/2024

Debate në Komisionin e Ekonomisë, KLSH kërkon shkarkimin e Drejtoreshës së “Buxhetit”

Komisioni parlamentar i Ekonomisë është shoqëruar me debate në lidhje me raportin e Këshillin e Lartë të Shtetit, ku ky institucion i ka kërkuar Ministrisë së Financave shkarkimin nga detyra të Drejtoreshës së Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit, Mimoza Dhëmbi, si dhe ka kërkuar masë disiplinore për katër zyrtarë të tjerë.

Nga ana e tij drejtuesi i Komisionit të Ekonomisë, deputeti Eduart Shalsi e ka konsideruar si skandaloze këtë pjesë të raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Mimoza Dhëmbi nuk është një person dosido, por e kemi ftuar në komision për atë që ajo përfaqëson. Është e vërtetë që nuk ka precedent të tillë Kuvendi, por në dijeninë tonë nuk ka një precedent të tillë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për një punonjëse me një formulim të tillë. Dua të siguroj stafin dhe gjithë KLSH-në që kurrfarë paragjykimi nuk ka në këtë proces dhe nuk po bëjmë asgjë më shumë dhe as më pak nga funksionet që na njeh Kushtetuta dhe ligji”, tha Shalsi.   

Për këtë arsye, ai ka kërkuar ballafaqim mes Dhëmbit dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Çfarë problemi do të ketë KLSH-ja po të jetë Mimoza Dhëmbi këtu. Është institucioni për transparencë”, u shpreh Shalsi.  

Ndërkohë nga ana e tjetër, Arben Shehu u shpreh se për të, Drejtoresha Dhembi është si të gjithë zyrtarët e tjerë.

Raporti i prezantuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ka të bëjë me rikonstruksionin e shkollës profesionale “Herman Gmeiner”, në pronësi të Shoqatës “SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqiptarë”, ku fondi për rikonstruksionin e saj kap vlerën e 300 mijë eurove që kanë kaluar nga buxheti i shtetit.

Rikonstruksioni i shkollës profesionale “Herman Gmeiner u realizua në kuadër të procesit të rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit të viti 2019.

Sipas KLSH-së, referuar procesverbaleve të Institutit të Ndërtimit nuk ka një vendim përfundimtar, por vetëm akt konstatime dhe me qëllim përmirësimin e kushteve, bazuar dhe në kontratën e huapërdorjes.

/rtsh.al/