RTSH 24 Live

Sociale

Çmimi i barnave, skema se kush mund të përfitojë nga Marrëveshjet e Posaçme me ministrinë e Shëndetësisë

24/05/2023

Çmimi i barnave, skema se kush mund të përfitojë nga Marrëveshjet e Posaçme me ministrinë e Shëndetësisë

Qeveria ka bërë një ndërhyrje në ligjin për barnat dhe shërbimin farmaceutik në vendin tonë, me qëllim përcaktimin e llojeve dhe procedurave të lidhjes së marrëveshjeve të posaçme (MEA). Këto lloj marrëveshjesh kanë të bëjnë me marrëveshje të posaçme me karakter financiar; marrëveshje të posaçme të bazuara në performancë; marrëveshje të posaçme hibride. 

Do të jenë institucionet spitalore universitare dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ato që do të përcjellin pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë propozimet për MEA, pas kryerjes së një vlerësimi paraprak të tyre.

Çfarë janë marrëveshjet e posaçme?

Sipas vendimit, marrëveshjet e posaçme (MEA) me karakter financiar janë ato marrëveshje të cilat lidhen me subjektet kur plotësojnë një nga kushtet që lidhen me çmimin e propozuar kur është më i ulët se çmimi CIF, i miratuar nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë për një sasi të caktuar të barit për një periudhë të caktuar kohore. MEA mund të konsiderohet edhe kur çmimi i propozuar është më i ulët se çmimi CIF, i miratuar nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe duke siguruar sasi barnash falas të të njëjtit bar mbi një sasi të kërkuar të barit për një periudhë të caktuar kohore.

“Marrëveshjet e posaçme (MEA) të bazuara në performancë janë ato marrëveshje të cilat lidhen për barna origjinatorë me çmimin CIF më të ulët se çmimi i miratuar nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë, që përfshihen në skemat e trajtimit terapeutik për grup të caktuar pacientësh ku risku i efektshmërisë së barit apo efikasiteti i trajtimit ndahet ndërmjet palëve. Marrëveshjet e posaçme (MEA) hibride janë ato marrëveshje të cilat lidhen kur plotësohen një ose disa nga kushtet e përcaktuara më sipër”- thuhet në vendim.

Institucionet që propozojnë

Bazuar në impaktin financiar buxhetor, barrën e sëmundshmërisë, protokollet e mjekimit si dhe opsionet e trajtimit të disponueshme në sistemin shëndetësor në vend, mund të përcjellin propozime pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë për lidhjen e një marrëveshjeje të posaçme (MEA):

a) institucionet spitalore universitare;

b) Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH);

c) mbajtësi i autorizimit të tregtimit të barit në Shqipëri.

Institucionet spitalore universitare dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor përcjellin pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë propozimet për MEA, pas kryerjes së një vlerësimi paraprak të tyre, bazuar në impaktin financiar dhe disponueshmërinë buxhetore; protokollet e mjekimit; efikasitetin e trajtimit të barit, bazuar në evidenca shkencore; vlerësimin mbi barrën e sëmundshmërisë, opsionet e trajtimit të disponueshme në sistemin shëndetësor për diagnozën që mbulon terapia në vend dhe shkallën e rëndësisë së trajtimit me terapinë e propozuar, bazuar në vlerësimin e kosto-efikasitetit.

Kush i vlerëson marrëveshjet e posaçme?

Vendimi parashikon që propozimet e bëra do të vlerësohen nga Komisioni Ad-hoc i Vlerësimit të Marrëveshjeve të Posaçme (MEA), i ngritur nga ministri përgjegjës për shëndetësinë. Procesi i vlerësimit kryhet brenda 60 ditëve nga data e regjistrimit të propozimit pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.

Marrëveshja e posaçme pas vlerësimit nga Komisioni Ad-hoc i Vlerësimit të Marrëveshjeve të Posaçme dhe nënshkrimit nga palët i përcillet Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ose institucioneve spitalore universitare për zbatim.

/rtsh.al/ a.meta/