RTSH 24 Live

Kulturë

Çelet ekspozita “Vëllezërit Kodheli dhe Kolë Idromeno – Rilindja në artin pamor shqiptar”

20/08/2024

Çelet ekspozita “Vëllezërit Kodheli dhe Kolë Idromeno – Rilindja në artin pamor shqiptar”

Në muzeun “Marubi” u hap mbrëmjen e djeshme ekspozita “Vëllezërit Kodheli dhe Kolë Idromeno – Rilindja në Artin Pamor Shqiptar”, kuruar nga drejtori i muzeut, Luçjan Bedeni.

Në këtë ekspozitë u shfaqën imazhe të rralla dhe të papublikuara më parë, që sjellin në vëmendje historinë e artit pamor shqiptar gjatë Rilindjes Kombëtare, çka përbën një mundësi unike për të zbuluar ndikimin e fuqishëm të artistëve, si Arsen Idromeno dhe Pietro Marubbi, në kulturën tonë.

Të pranishëm në ceremoninë e hapjes ishin nënkryetarët e bashkisë së Shkodrës, Teuta Shala-Qyteza dhe Rudi Beka, si dhe drejtori i Institutit të Antropologjisë pranë Akademisë së Shkencave, Olsi Lelaj.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për t’u vizituar në ambientet e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” deri më 10 nëntor.

Drejtori i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, njëkohësisht kuratori i ekspozitës, Luçjan Bedeni, në një intervistë të mëparshme bëri të ditur se prej disa vitesh ka bërë kërkime për Marubët dhe Idromenon.

“Gjatë hulumtimit të fundit në fototekën e Institutit të Antropologjisë ku ruhen disa negativë me vlerë të Idromenos, kam arritur në konkluzionin se shkrepjet e tij mund të plotësohen me më shumë të dhëna. Kjo për fatin e mirë të ekzistencës të koleksionit të Marubëve, i cili i vjen shumë në ndihmë”, tha Bedeni.

Kolë Idromeno është artisti që me talentin e tij të jashtëzakonshëm i dha jetë artit shqiptar, duke lënë pas ikona të artit, në mes tyre “Motra Tone”, Xhokonda shqiptare.

Sipas ATSH

/ rtsh.al /