RTSH 24 Live

Televizion

Bungo raporton në Kuvend: RTSH ka nevojë për investime

06/07/2023

Bungo raporton në Kuvend: RTSH ka nevojë për investime
Kryetari i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar, Leka Bungo

Kryetari i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar, Leka Bungo gjatë prezantimit para deputetëve në  Kuvend të raportit vjetor të Radio Televizionit Shqiptar, ka deklaruar se institucioni i RTSH-së ka hyrë në një proces të ristrukturimit të tij, veçanërisht sa i përket fondit arkivor dhe digjitalizimit të tij.  

Sipas Bungos, në RTSH ka filluar puna për digjitalizimin të fondit audio të Radio Tiranës duke përdorur pajisje aktuale në teknikën e radios. 

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar arkivës së radios dhe televizionit që përkon me ndërhyrjen në rikonstruksion të ambienteve, si në rastin e ambienteve ku ruhen materialet film, apo në krijimin e ambienteve më të përshtatshme për një pjesë të fondit radios që është i vendosur në bodrume jashtë kushteve të ruajtjes së materialeve arkivore. 

Një punë voluminoze për evidentimin e detajuar të të gjithë fondit arkivor të RTSH-së për të specifikuar materialet e një rëndësie të madhe dhe që duhet të jenë që në fazat e para në procesin e digjitalizimit. 

Ka filluar puna për digjitalizimin audio dhe të fondit audio të radio Tiranës duke përdorur pajisje aktuale në teknikën e radios. Në këtë kuadër është bashkërenduar puna dhe me qendrat vendore audiovizive për evidentimin e arkivave të tyre dhe listimin e pajisjeve teknike që ata disponojnë”, u shpreh Bungo. 

RTSH në rrjetet sociale

Kreu i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar, Leka Bungo ka shpjeguar se ka një rritje të ndjekjes së RTSH-së si rezultat edhe i punës së Drejtorisë së Komunikimit në ueb dhe rrjetet sociale. 

Drejtoria e Komunikimit në ueb dhe rrjetet sociale në bashkëpunim të ngushtë me drejtorinë e shitjes dhe promocionit kanë promovuar RTSH-në, impakt ky i dukshëm që reflektohet si në formatet e reja të përdorura në rrjetet sociale por edhe në sasinë e informacionit të shpërndarë në format elektronik si forma aktuale me qasje më të lartë të paraqitjes së informacionit. Ka një trend në rritje të ndjekjes së kanalit të RTSH-së nëpërmjet rrjeteve sociale që është edhe motori i kërkimit më i aksesueshëm aktualisht”, theksoi Bungo. 

Gjendja ekonomike dhe nevoja për investime 

Bungo u ndal edhe tek gjendja ekonomike e Radio Televizionit Shqiptar. Ai theksoi se ka lindur nevoja për investime në infrastrukturën teknologjike. 

RTSH-ja është në dijeni të kushteve të krijuara vitet e fundit që nga pandemia dhe duke vijuar më pas më situatën e vështirë ekonomike globale e cila ka përfshirë edhe vendin tonë, faktorë që kanë ndikuar në gjendjen financiare të RTSH-së dhe nga ana tjetër dimë që mungesa e fondeve për investime e bën të vështirë ndërmarrjen nga ana jonë të hapave të tjerë për zhvillimin, pasi në vlerësimin e RTSH-së lind nevoja për investime në infrastrukturë teknologjike dhe ndërtimore; investim në ndërtimin e studiove të reja, aktualisht është duke përfunduar projekti infrastrukturor dhe teknik me qëllim kthimin e ambienteve të ish-ateliesë në Kinostudio, në një studio të pavarur me parametra optimalë për realizimin e emisioneve të drejtpërdrejtë dhe të regjistruara në RTSH”, u shpreh Bungo. 

Ai nënvizoi faktin se për RTSH-në është e domosdoshme rritja e financimit ndaj këtij institucioni mediatik përmes buxhetit të shtetit apo rritjes së tarifës së aparatit. Sipas Bungos, kjo është e nevojshme në mënyrë që Radio Televizioni Publik të ofrojë projekte të atilla që të kenë interes për publikun shqiptar. 

RTSH ka nisur punën me grupet e punës përkatës për rishikimin e pagave të stafit dhe të librit të tarifave për shërbimet e ofruara dhe të përfituara nga RTSH-ja nga palët e treta. 

Bazuar në draftin paraprak, propozuar për ndryshimet e pagave është miratuar për t’u mbajtur në vëmendje fakti që nevoja e rritjes së pagave duhet shoqëruar me rritjen e financimit nëpërmjet buxhetit të shtetit apo rritjes së tarifës së aparatit. 

Sa më sipër me qëllim zhvillimin e mëtejshëm dhe ofrimin e projekteve artistike të tilla që të kenë interes për publikun dhe të tërheqë më shumë vëmendjen e shikuesit, është e domosdoshme rritja e burimit të financimit buxhetor dhe të tarifës së aparatit gjë e cila do të bëjë të mundur mbulimin e kostove të studiove, skenografisë, paga personeli etj., gjë e cila sjell përithithjen e personelit të specializuar dhe të ideve krijuese”, nënvizoi Bungo. 

Kreu i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar shtoi se në këtë rast ka ndikuar edhe gjendja e mbartur nga vitet e kaluara, veçanërisht ajo e vitit 2021, kur ky institucion e mbylli me detyrime të larta ndaj palëve të treta apo edhe insitucioneve të tjera financiare. 

Për shkak edhe të gjendjes së mbartur nga viti 2021, përmendim këtu faktin që RTSH-ja e mbylli vitin 2021 me detyrime të larta ndaj palëve të treta, furnitorëve vendas dhe të huaj, insitucioneve financiare dhe të shtetit apo edhe si rezultat i të ardhurave të munguara dhe të paarkëtuara gjatë 2021-it dhe detyrimeve kontraktuale për kontratat e lidhura në vitet paraardhëse që shtrijnë efektet e tyre edhe përgjatë vitit 2021, 2023. 
Për kontratat paraardhëse që shtrijnë efektet e tyre,  situata aktuale financiare dhe ekonomike e RTSH-së vijon të mos ketë një kurbë rritëse të tillë që të konsiderohet e kënaqshme”, tha më tej Bungo.

/rtsh.al/