RTSH 24 Live

Aktualitet

Bulqizë, elektricisti bie në kontakt me rrymën elektrike, përfundon në spital

28/03/2024

Bulqizë, elektricisti bie në kontakt me rrymën elektrike, përfundon në spital

Një punonjës i operatorit të sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike ka mbetur i plagosur këtë të enjte, teksa ndodhej në punë.

Policia e Dibrës njoftoi se shtetasi Adul Duriçi, rreth 50 vjeç, me profesion elektricist, duke punuar për riparimin e një linje elektrike, dyshohet se ka rënë në kontakt me energjinë elektrike dhe për pasojë ka mbetur i lënduar.

Ngjarja mësohet se ka ndodhur në lagjen “Gjeologu” të qytetit të Bulqizës. 50-vjeçari, është transportuar menjëherë drejt spitalit të Bulqizës, ku u trajtua me asistencë mjekësore.

Ndërkohë, një orë më vonë, ai është dërguar për mjekim më të specializuar në Tiranë. Grupi hetimor po kryen hetime në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Po ashtu, në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe inspektorët e Inspektoriatit Shtetëror të Punës të cilët do të verifikojnë nëse janë zbatuar si duhet rregullat e sigurimit teknik në punë.

Një tjetër ngjarje e rëndë është regjistruar me 31 Janar të këtij viti teksa një elektricist 33 vjeçar ra në kontakt me rrymën elektrike teksa punonte në një kabinë në fshatin Kovashicë të Shupenzës në Bulqizë, e për fat të keq humbi jetën.

/rtsh.al/