Nga 1 janari, Rumania dhe Bullgaria bëhen anëtare me të drejta të plota të zonës së lëvizjes së lirë të Bashkimit Evropian. "Është një moment historik për të mirëpritur përfundimisht Bullgarinë dhe Rumaninë në zonën Shengen", tha ministri i brendshëm i Hungarisë, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së.
Vendimi i bllokut u cilësua historik nga dy vendet e Evropës Lindore. “Anëtarësimi në zonën Shengen ishte një objektiv kyç i Bullgarisë dhe Rumanisë që nga pranimi në Bashkimin Evropian," - thuhet në një deklaratë të përbashkët të Bukureshtit dhe Sofjes.
Dy vendet, që janë anëtare të Unionit që nga viti 2007, u integruan pjesërisht në zonën e lëvizjes së lirë në mars, duke iu lejuar udhëtimet ajrore dhe detare pa kontrolle kufitare, por jo ato tokësore.
Bukureshti dhe Sofja përmbushën të gjitha kriteret teknike të përcaktuara nga Brukseli në vitin 2010, por kaluan më shumë se një dekadë duke pritur për t'u bashkuar me zonën Shengen pasi u bllokuan nga Austria.
Ky vend kishte shprehur shqetësime për shkak të numrit të lartë të emigrantëve. Në takimin e ministrave të BE-s këtë të enjte, Vjena nuk përdori veton duke i hapur rrugë dy vendeve që të bëhen anëtare të plota të zonës së lëvizjes së lirë nga 1 janari 2025. Vendimi i Austrisë erdhi pasi tre shtetet nënshkruan më herët në Budapest një marrëveshje të përbashkët për mbrojtjen e kufijve.
/RTSH/