Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka akuzuar mazhorancën se po bllokon Gjykatën Kushtetuese dhe opinionin e Komisionit të Venecias mbi mandatin e deputetes Olta Xhaçka.
Berisha tha se mazhoranca po mbron Xhaçkën pasi kjo e fundit është e lidhur direkt me kryeministrin Edi Rama.
“Kjo mazhorancë është shndërruar në parzmore të grabitjes dhe plaçkitjes së pasurisë publike nga ministrat dhe qeveritarët.
Në historinë e Europës dhe të botës kurrë nuk ka ndodhur që një ministre pasi burrin e vet investitor strategjik, në shkelje flagrante të ligjeve të vendit, pra pasi përvetësoi duke përdorur pushtetin e besuar nga qytetarët për të pasuruar vetën dhe familjen e vet me një pronë 10 mijë metra katrorë tokë publike në një zonë ku kushton të paktën 250 euro metri katror, tani ju poshtëroni Kushtetutën, poshtëroni vendin, poshtëroni zgjedhësit dhe mbani këtu në mënyrën më të paimagjinueshme njeriun e ndëshkuar nga Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias.
Pse ndodh kjo?
Ky është një qëndrim ekstrem për të mbrojtur me çdo kusht vjedhjet, plaçkitjet që kanë bërë.
Fijet e Olta Xhaçkës, që bëhet këtu personazh unik, janë të lidhura direkt me Edi Ramën.
Janë të lidhura direkt me Edi Ramën sepse Edi Rama, siç është bërë tashmë e njohur, është 30 përqindëshi i investitorëve strategjikë”, u shpreh Berisha.
Ai vuri në dukje se mazhoranca po injoron aktet e kontrollit të shtetit, “bllokoni dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, bllokoni edhe vendimet e Komisionit të Venecias. Flamuri juaj i zi i hajdutit meriton të digjet në sheshin Skënderbej. Është bërë shumë evidente se të gjitha aferat që çojnë tek kryehajduti Edi Rama nuk mund të diskutohen. I kërkohet mocion, Kushtetuta e detyron, ai nuk vjen”
/rtsh.al/