Në fund të këtij viti, Hungaria përfundon kryesimin 6-mujor të Këshillit të Bashkimit Europian. Ambasada Hungareze në Tiranë organizoi eventin përmbyllës të mandatin të saj, ku mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, Ambasadori i Gjermanisë, Karl Bergner, Ambasadori i Britanisë së Madhe, Nick Abbott dhe përfaqësues të tjerë të trupit diplomatik në Tiranë.
Ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato tha se ndihet krenar që ndodhet i deleguar në Shqipëri, në një moment historik për popullin shqiptar.
“Ndihem shumë i privilegjuar që përfaqësoj Bashkimin Europian dhe vendet anëtare të tij këtu në Tiranë, në një kohë kur gjërat po bëhen të vërteta dhe të prekshme, dhe më në fund po i përgjigjemi thirrjes së popullit shqiptar për të pasur mundësinë që t’i bashkohen këtij realiteti fantastik, që është Bashkimi Europian. Pas 36 vitesh punë të Bashkimit Europian, këto burokraci të mëdha, disa njerëz thonë që nuk janë edhe aq të mëdha, jam sërish entuziast dhe sërish mendoj se është një nga projektet politike me më shumë vlera të nisura ndonjëherë”, u shpreh ambasadori.
Ambasadorja e Hungarisë në Shqipëri, Martina Laura Kasnyik falenderoi pjesëmarrësit në këtë ceremoni të veçantë dhe vlerësoi hapat e rëndësishëm të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, si dhe rezultatet e përbashkëta të arritura së bashku.
Nga 1 janari i viti të ardhshëm, Presidenca e Bashkimit Europian për 6 muajt në vijim do i kalojë Polonisë.
/rtsh.al/