RTSH 24 Live

Ekonomi

BSH sekuestroi 266 monedha dhe kartëmonedha kombëtare të falsifikuara në 2023-shin

15/05/2024

BSH sekuestroi 266 monedha dhe kartëmonedha kombëtare të falsifikuara në 2023-shin

Në fokusin e punë së Bankës së Shqipërisë është edhe mbrojtja e kartëmonedhës dhe monedhës metalike nga falsifikimi.

BSH-ja bën të ditur se, gjatë vitit 2023, ka sekuestruar 195 kartëmonedha kombëtare të falsifikuara në qarkullim, si dhe 71 monedha metalike.

Referuar statistikave, koeficienti i kartëmonedhave të falsifikuara për 1 milion copë kartëmonedha në qarkullim është ulur. 

Në vitin 2023, kur ky tregues ka arritur nivelin e 1.3 copë kartëmonedha për 1 milion në qarkullim, kundrejt 2.2 në vitin 2022.

Sipas BSH-së, kartëmonedhat më të falsifikuara janë ato të prerjeve 1000 Lekë dhe 5000 Lekë, të ndjekura nga prerjet 2000 Lekë dhe 500 Lekë. 

Sa i përket monedhave, ajo e prerjes 50 Lekë vijon të jetë e vetmja e falsifikuar, megjithëse në sasi të ulët dhe të papërfillshme. 

Numri më i madh i kartëmonedhave false i takon serisë së vjetër, me 153 copë. Ky fakt dëshmon cilësinë e lartë dhe elementet e sigurisë të aplikuara në kartëmonedhat e serisë së re.

Nga këndvështrimi teknik, kartëmonedhat e falsifikuara janë riprodhime të thjeshta me pajisje digjitale komerciale, pothuajse vetëm me teknikën ink-jet me ngjyra, të shoqëruara me aplikim të teknikave artizanale dhe teknologjike për imitimin e elementeve të sigurisë.

BSH-ja siguron se, në asnjë rast nuk ndeshen imitime të elementeve të sigurisë të lexueshme prej pajisjeve autentifikuese.


/ rtsh.al /