RTSH 24 Live

Politikë

Bregu: Çfarë ka marrë Meta nga pushteti? Këtë e vendos drejtësia

5 orë para

Bregu: Çfarë ka marrë Meta nga pushteti? Këtë e vendos drejtësia

Pedagogu i Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit, Zylyftar Bregu ka deklaruar në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RSTH1 nën moderimin e gazetares Sonila Agostini, se do ta vendosë drejtësia për gjithçka që Ilir Meta mund të ketë përfituar nga pushteti.

Në aspektin politik, Ilir Meta ka filluar sot një nga betejat e tij më të vështira për të, që është një betejë ligjore. Në aspektin politik ai ka treguar që ai di të ngrihet kur rrëzohet. A do të ngrihet në këtë betejë, do ta shohim. Drejtësia do të vërtetojë dhe duhet të vërtetojë se çfarë ka marrë Ilir Meta nga pushteti. Meqenëse sot është dita që i bëhet nekrologjia politike Ilir Metës dhe që fillon një etapë të re në jetën e vet, do të isha i mendimit se çfarë i ka dhënë Ilir Meta pushtetit dhe se çfarë i ka marrë”, është shprehur Bregu.

Ai ka theksuar se mund të gjendej një mënyrë më elegante më elegante për ta arrestuar dhe jo siç ndodhi ditën e sotme.

Nuk jam në gjendje ta them se akuza ishte politike, por spektaklorizimi i arrestimit më duket pak i tepruar. Pra, një ish-kryeministër, një ish-kryetar Kuvendi dhe ish-president të arrestohet në atë mënyrë, kur mund të gjendej një mënyrë më elegante për ta arrestuar”, tha Bregu.

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u arrestua ditën e sotme nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit me urdhër të SPAK dhe vendimit të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ndalimi i ish-presidentit u krye në afërsi të kthesës së Kamzës, teksa Meta po i drejtohej selisë së partisë, ku kishte njoftuar një konferencë shtypi.

SPAK ka ngritur tri akuza ndaj Metës: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, me dyshime të nisura që nga çështja CEZ-DIA. 

/rtsh.al/