RTSH 24 Live

Politikë

Avokat Beqiri: Rruga e Metës në paraburgim do të jetë e gjatë

6 orë para

Avokat Beqiri: Rruga e Metës në paraburgim do të jetë e gjatë

Akuzat për të cilat Ilir Meta qëndron sot nën arrest janë bashkuar nga disa vepra të pretenduara penale ndër vite, por sipas avokatit Idajet Beqiri akuzave nuk u ka ardhur fundi ende.

Në emision "3D nga Alban Dudushi", z. Beqiri vlerësoi se qëndrimi i ish-presidentit në paraburgim ka për të qenë i gjatë për shkak të natyrës së krimeve që prokurorët specialë pretendojnë se ai ka kryer.

"Problemi është që procedimi i parë penal është ai i CEZ-DIA, që ka filluar në 2019, afro 5 vjet. Ndryshe nga si po veprohet me Berishën, për Ilir Metën janë bashkuar të gjitha akuzat, edhe lobimi amerikan, edhe për lidhjen me babain sekretar të Erisa Xhixhos - privatizimi i Telekomit dhe impulset telefonike - operacionet estetike të Monikës [Kryemadhit]... Kështu që janë bashkuar disa procedime penale. Ka çështje ende të hapura, bie fjala vjedhja e floririt të Kërrabës. SPAK tha se nuk do e hapte çështjen, sepse janë gjykuar fshatarët. Gjykata e Shkallës së Parë ndërkohë tha se duhet hetuar dhe t'i konfiskohen pasuritë Ilir Metës. Apeli i dha të drejtë Ilir Metës dhe Sali Berishës. Gjykata e Lartë do të gjykojë a është i drejtë vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë apo i Apelit. Pra janë disa në hetim. Këto janë nisur, por bitisja, jam i bindur, do të jetë rrugëtim i gjatë dhe do ta kemi në paraburgim për vite me radhë.

Shqiptarët e vërtetë, ata që janë prekur nga krimet e Ilir Metës, të gjithë pa përjashtim janë të bindur për një gjë: 21 Tetori - se 21-shin e mbajmë mend për gjëra të këqija, të rënda - por më në fund 21-shi po na sjell një ditë të bardhë, sepse i jep fund tranzicionit shqiptar ku mund të bëje çfarë doje në këtë vend dhe ndëshkueshmëri nuk kishte. Nga sot e tutje shqiptarët do të shohin që pandëshkueshmëri nuk ka më, por ka ndëshkueshmëri. Nuk ka më paligjshmëri, por do ketë ligjshmëri. Ky është ogur jashtëzakonisht i mirë për gjithë shqiptarët dhe Shqipërinë," u shpreh z. Beqiri.

/rtsh.al/