RTSH 24 Live

Botë

Bombardimet në Gazë, Harris i kërkon Izraelit më shumë "përgjegjësi" për civilët

11/08/2024

Bombardimet në Gazë, Harris i kërkon Izraelit më shumë "përgjegjësi" për civilët

Më shumë se 70 banorë të Gazës u vranë të shtunën në një shkollë, që strehonte palestinezët e shpërngulur nga lufta me Izraelin.

Zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris, njëkohësisht kandidatja për të marrë Presidencën e SHBA-së në muajin nëntor, e dënoi sulmin që rezultoi me dhjetëra jetë të humbura.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite tha se goditja e shkollës ndodhi pasi godina "përdorej si një bazë ushtarake aktive e Hamasit dhe Xhihadit Islamik", fakt që është mohuar nga Hamasi. Sipas Izraelit, sulmi "eliminoi 19 terroristë" nga të dyja grupet.

"Izraeli ka të drejtë të shkojë pas Hamasit, por ka edhe një përgjegjësi të rëndësishme për të shmangur pasojat mes civilëve," u shpreh znj. Harris gjatë një tubimi elektoral në Finiks, në shtetin e Arizonës.

Që nga 7 Tetori, kur Hamasi ndërmori një ofensivë brenda territorit izraelit, raportohet se janë regjistruar mbi 40 mijë të vrarë nga të dy krahët, nga të cilat më shumë se 39 mijë viktima në rajonin palestinez.

Gjatë fushatës në Arizonë, znj. Harris u tha protestuesve propalestinezë, që ndërprenë tubimin e saj, se ka ardhur koha për një marrëveshje armëpushimi dhe "të mbyllet pakti për lirimin e pengjeve". /BBC, AJ

/rtsh.al/