RTSH 24 Live

Politikë

Boçi: Berisha është i qetë. Akuza ndaj tij, politike. SPAK nuk shtoi asnjë provë të re

12/12/2023

Boçi: Berisha është i qetë. Akuza ndaj tij, politike. SPAK nuk shtoi asnjë provë të re

Ish-kryeministri Sali Berisha rrezikon masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa demokrati Luçiano Boçi i konsideroi si politike akuzat që rëndojnë ndaj tij për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani. Në studion e emisionit “3D”, Boçi tha se kërkesa e SPAK për ndryshimin e masës së sigurisë është “absurditet juridik”. Sipas Boçit, duhet të ketë fakte të reja në mënyrë që të rritet masa e sigurisë.

 “Berisha është më i qetë në mënyrën si janë zhvilluar ngjarjet. Ka kaluar tërësisht tani në rrafshin politik pasi juridikisht është konsumuar dhe tani akuza ka kaluar politike. Ka një absurditet juridik pasi shkohet për heqje të imunitetit kur ka një masë. Ka një vendim gjykate ‘detyrim paraqitje’ dhe kjo masë duhet të shfuqizohet fillimisht dhe më pas prokuroria të kërkojë masë tjetër. Kanë rënë në hullinë e kërkesës që Berisha ka bërë që në fillim. Duke qenë se ai është deputet, kufizimi i lëvizjes duhej të kalonte përmes parlamentit. Duhet të vijnë fakte të reja që rëndojnë personin që hetohet me qëllim që të rritet masa e sigurisë”, u shpreh ai.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka dërguar Kuvendit një shkresë ku kërkon ndryshim të masës së sigurisë për ish-kryeministri Sali Berisha nga “detyrim paraqitje” në “arrest shtëpie” në lidhje me çështjen e Privatizimit të ish-kompleksit Partizani.

/rtsh.al/