RTSH 24 Live

Kosovë

Bllokimin e shqiptarëve në pikat kufitare me Serbinë. Kamberi: Masa represioni pas pranimit të Kosovës në KiE

17/04/2024

Bllokimin e shqiptarëve në pikat kufitare me Serbinë. Kamberi: Masa represioni pas pranimit të Kosovës në KiE

Deputeti i Luginës së Preshevës në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka denoncuar bllokimin e shqiptarëve në pikat kufitare me Serbinë.

Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale  teksa ka postuar dhe një foto, Kamberi shkruan se, “Serbia fillon me masa represioni ndaj shqiptarëve, menjëherë pasi Parlamenti Evropian, ka rekomanduar anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës”.

Sipas tij, këto masa represive që po ndërmerren ndaj civilëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, në vendkalimin kufitar “Dheu i Bardhë”, vijnë menjëherë pas vendimit të djeshëm të Parlamentit Evropian dhe kërcënimeve të para disa ditëve të presidentit serb Vuçiq për “procesimin e gjithë atyre që cenojnë rendin kushtetues”.

“Të rinjtë shqiptarë nga Bujanoci, po ndalohen sot, në pikën kufitare te “Dheu i Bardhë” duke u mbajtur me orë dhe vonuar n këtë pikë kalim. Kjo masë represive ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, po ndërmerret, krahas masave të njëjta që po ndërmerren ndaj shqiptarëve të Kosovës nëpër pikë kalimet kufitare serbe, sidomos, në kufirin me Kroacinë” shkruan deputeti Kamberi.

Ndaj vazhdon ai, Serbia, sot, po e shkelë brutalisht Marrëveshjen për tabelat e regjistrimit dhe po e cenon rëndë të drejtën fondamentale të njeriut “qarkullimin e lirë”. Këto masa po ndërmerren si masa retorzive pas hapit të rëndësishëm të Republikës së Kosovës për anëtarësim në KE.

Ndalesat nëpër kufij, patrullat policore dhe retorika e shfrenuar antishqiptare që po aplikohen ditët e fundit janë përsëritje e masave të agresionit të Serbisë ndaj shqiptarëve, shkruan ndër të tjera deputeti Kamberi  duke shtuar se, “BE dhe institucionet tjera ndërkombëtare duhet të dalin me reagim të fuqishëm ndaj represionit që po e ushtron shteti “pretendente për BE”.

 

/rtsh.al/