RTSH 24 Live

Kosovë

Bllokimi i qytetarëve në kufi nga Serbia, Kurti: Na riktheu në kohën e Millosheviqit

18/04/2024

Bllokimi i qytetarëve në kufi nga Serbia, Kurti: Na riktheu në kohën e Millosheviqit

Kryeministri Albin Kurti është shprehur se ndalimi i qytetarëve të Kosovës nga Serbia në kufi me Kroacinë ka risjellë kohët e Sllobodan Millosheviqit.

Sipas Kurtit, kjo tregon se Serbia ka po të njëjtin mentalitet pasi udhëhiqet nga një ish-vartës i Millosheviqit.

Ndalimi dhe mbajtja arbitrare, e pabazë dhe keqtrajtimi i qytetarëve nga ana e Serbisë, vetëm pse e përdorin atë si vend tranzit, na i solli kujtimet e hidhura të Serbisë së Millosheviqit, duke na rikujtuar se ajo ngelet e njëjta ngase udhëhiqet nga një ish-vartës i tij”, është shprehur Kurti në mbledhjen e qeverisë.

Një ditë pas bllokimit të qindra qytetarëve nëpër pikat kufitare serbe si shenjë hakmarrje ndaj votimit të rekomandimit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Kurti vuri në dukje se Serbia vazhdon të jetë burim i kërcënimit të paqes, sigurisë dhe stabilitetit të rajon, teksa ka shtuar se nuk ka demokraci në këtë vend.

Serbia jo veç që nuk ka demokraci përbrenda, nuk respekton liritë civile e politike, sundim të ligjit e liri të mediave, por edhe ka rreshtim me Federatën Ruse, të cilën nuk e ka sanksionuar duke iu bashkuar kështu Bjellorusisë. Millosheviqin dhe Putinin, të cilët i ka përbrendësuar presidenti i Serbisë, e që duket se me sukses po i fsheh nga liderët demokratë, po i dalin në pah sapo të kthehet në Serbi sepse evropianizimi nuk ndodh me ninulla ruse”, ka nëvizuar ai.

 Kurti ka përmendur një varg marrëveshjesh të cilat Serbia i ka shkelur me veprimin e djeshëm.

Me veprimin e djeshëm Serbia ka shkelur një grumbull marrëveshjesh duke përfshirë marrëveshjen e korrikut të vitit 2011 për lëvizjen e lirë të qytetarëve, marrëveshjen e nëntorit të vitit 2021 për lëvizjen me karta të identitetit në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe marrëveshjen bazike të shkurtit të vitit 2023 në Bruksel për normalizim marrëdhëniesh dhe për fqinjësi të mirë,” ka thënë Kurti.

Sa i përket arrestimit të zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç ka thënë se dërgimi i tij në Rashkë nënkupton intervistimin nga aktorë shtetërore të Serbisë.

Sipas informatave që kemi zëvendësdrejtori Jankoviç është dërguar në Rashkë. Nga e kaluara e dimë që ata që janë dërguar atje, intervistohen nga aktorë të ndryshëm shtetërore të Serbisë. Dje në ndalim kanë qenë 10 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, serb dhe shqiptarë”, ka thënë Kurti.

/rtsh.al/