RTSH 24 Live

Aktualitet

Bisedat telefonike që implikojnë Arben Ahmetajn, në dosjen e SPAK edhe komunikimet e ish-ministrit me Mirel Mërtirin

11/07/2023

Bisedat telefonike që implikojnë Arben Ahmetajn, në dosjen e SPAK edhe komunikimet e ish-ministrit me Mirel Mërtirin

Hetimi për ish zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj ka përfshirë edhe bisedat telefonike të tij të para 11 viteve.

Kështu rezulton në dosjen që SPAK ka ngritur akuzat ndaj Ahmetaj ku është arritur të rikuperohet një numër i lartë telefonatash dhe mesazhesh që zyrtari i lartë ka shkëmbyer me personin që sot njihet si truri i inceneratorëve, Mirel Mërtiri.

Kjo ka shtyrë prokurorët të ngrejë dyshime mbi lidhjen miqësore mes tyre. Mesazhet janë zbuluar nga një aparat telefoni celular dhe që është gjendur në banesën e ish-bashkëshortes së Ahmetajt, në muajin mars kur BKH zhvilloi kontrollin.

Nga këqyrja e tyre rezultoi se nga data 21 korrik 2012 deri në 10 tetor 2012, pra në gati tre muaj, të ketë patur 138 komunikime telefonike dhe 3287 mesazhe mes Ahmetaj dhe Mirel Mërtirit. Më pas SPAK thotë se janë faktuar edhe lidhjet mes Ahmetajt dhe Klodian Zotos, biznesmenit të inceneratorëve.

 Sipas hetimeve rezulton që ai të ketë përfituar rreth 500 mijë euro përfitime të nisura që nga viti 2016 deri më 2020. Madje SPAK ka arritur të zbulojë edhe shkëmbime e-mailesh kur Zoto informohej mbi procedurat për inceneratorët. Në një nga këto e-maile del edhe emir i Alda Klosit, ish-sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Financave.

Kjo e fundit po mbahet në burg për zbulimin e një shume të madhe parash të pajustifikuara në banesën e saj dhe në banesën e pastrueses së Klosit e cila ka thënë se paratë janë ish funksionares së lartë.  Këto janë vetëm disa nga detajet e dosjes voluminoze mbi të cilat SPAK i kërkoi Kuvendit të lejojë arrestimin e deputetit Arben Ahmetaj, kontrollin personal dhe atë të banesës së tij.

Gazetar: Kreshnik Mersinllari

/RTSH/