RTSH 24 Live

Aktualitet

Bie vetoja e Greqisë kundër Shqipërisë, BE harton letrën për hapjen e kapitujve

30/11/2023

Bie vetoja e Greqisë kundër Shqipërisë, BE harton letrën për hapjen e kapitujve

Greqia i është bashkuar letrës së 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian që do të ftojnë Shqipërinë të çelë kapitujt e parë të bisedimeve të anëtarësimit në BE. 

Burime të besueshme diplomatike i thanë RTSH se takimi i të mërkurës ka përfunduar me përfshirjen e Greqisë në vendimin europian për Shqipërinë. 

Ashtu siç paralajmëruan vetë mediat greke, fqinji jugor i Shqipërisë nuk u pranua nga instancat europiane të vërë veton në këtë fazë e cila sipas legjislacionit europian, nuk i la shteg Greqisë që të mbivendosë çështje të trajtimit të pakicave kombëtare mbi ato të shtetit të së drejtës. 

Përveç interpretimit ligjor, një tjetër aspekt procedurial i njoftuar pak ditë më parë, ai i shqyrtimit të përputhshmërisë i njohur si screening, rezulton në grupkapitullin e marrëdhënieve me jashtë i mbyllur pa rezerva, çka nuk e lejon po ashtu Greqinë të ngrejë pretendime të tjera në këtë fazë që është Shqipëria. 

Hartimi i dokumentit letër që e fton Shqipërinë në këtë proces, është pjesë e përgatitjes së axhendës së takimeve të dhjetorit në Bashkimin europian, gjatë të cilit pritet deklarimi zyrtar nga Këshilli europian.

Gazetare: Entela Komnino

/ rtsh /