RTSH 24 Live

Ekonomi

BERZH investon në malin e Tomorrit

12/11/2024

BERZH investon në malin e Tomorrit

Kalaja e Beratit do t’i nënshtrohet ndërhyrjeve falë një projekti të BERZH. Pjesë e projektit të financimit është edhe ndërtimi i një rruge të re 15.2 kilometra në malin e Tomorrit. Në total, fondet që do të përdoren për këto 2 projekte arrijnë 3.2 mln euro

Me një total prej 3.2 mln euro Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka shpallur kompaninë fituese që do të realizojë ndërhyrjen në Kalanë e Beratit dhe Malin e Tomorrit. Tenderët u hapën pak muaj më parë, teksa të dy kontratat janë fituar nga kompania Salillari dhe kanë një vlerë nga rreth 1.6 mln euro secila. 

Ndërhyrjet në Kalanë e Beratit synojnë përmirësimin e potencialit të turizmit kulturor, duke rritur atraktivitetin turistik të këtij destinacioni. Kjo përmes përmirësimit të aksesit në këtë atraksion turistik.

Sipas BERZH objektivi kryesor i kontratës është ekzekutimi i zgjidhjes më të mirë teknike dhe kosto-efektive për realizimin e një mbrojtjeje të qëndrueshme të lumit Osum, duke ndaluar erozionin progresiv të brigjeve të lumit pranë rrugëve në afërsi të kalasë.

Ndërkohë që, ndërhyrjet në Malin e Tomorrit kanë për qëllim përmirësimin e ofertës turistike natyrore, duke përmirësuar aksesueshmërinë dhe përfshijnë ndërtimin e aksit rrugor nga kryqëzimi i rrugës Berat – Poliçan, në fshatin Vodicë deri në fshatin Dardhë, me gjatësi 15.2 km dhe restaurimin dhe zgjerimin e Çezmës së Tarikos, në Tomorr.

Këto ndërhyrje janë pjesë e projektit për Infrastrukturën dhe Turizmin në Shqipëri, që financohet nga Bashkimi Evropian nëpërmjet asistencës teknike dhe granteve të investimeve në një shumë totale prej 40 milionë euro, si dhe nga kredia sovrane plotësuese e dhënë nga BERZH për qeverinë e Shqipërisë.

/ rtsh.al /