RTSH 24 Live

Politikë

Berisha: Tuneli i Llogarasë vepra e dytë më e madhe korruptive pas inceneratorëve

05/07/2024

Berisha: Tuneli i Llogarasë vepra e dytë më e madhe korruptive pas inceneratorëve

Tuneli i Llogarasë është hapur këtë të premte (5 korrik) për qytetarët, duke lehtësuar trafikun dhe shkurtuar kohën për aksesimin në jug të vendit. Por për Sali Berishën ky tunel është një aferë korruptive, e dyta më e madhja, pa aferës së inceneratorëve.

Sipas llogarive të tij, Berisha thotë se për çdo banor të zonës dhe turistët që vizitojnë jugun u takon të kenë investuar nga 12 mijë euro secili.

“Jam sot këtu për të denoncuar tunelin e Llogarasë si veprën publike më korruptive pas djegësave, në 32 vitet e fundit në Shqipëri. Tuneli i Llogarasë, u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë, dy rroga mujore të çdo shqiptari, 180 mln euro, por e llogaritur për banorë dhe shtretërit turistik, ky del tuneli më i paleverdishëm, më i kushtueshëm i planetit.

Në rast se këtë shumë e llogarisim për 8 mijë shtretër turistik në maksimum, që ka zona nga Palasa në Qeparo, në një kohë që në të gjithë Shqipërinë janë gjithsej 109 mijë shtretër, i bie që për një shtrat turistik të jenë investuar, 22500 euro.

Por në rast se e llogarisim për banorë, pra tu shtojmë këtyre shtretërve edhe numrin e banorëve që banojnë gjithë vitin në këtë zonë, që nuk arrin kurrë në 4 mijë, atëherë i takon që për çdo frymë të jetë investuar në këtë tunel, 12  mijë euro.

Rikujtoj këtu se në tunelin e Kalimashit kaluan vjet, 4.4 mln udhëtarë. Por unë krahasimin do ta bëj sot me tunelin e Krrabës. Ky tunel që ka kushtuar gjithsej 14 mln euro për kilometër, ka në anën tjetër të vet, zonën e Shqipërisë së mesme dhe Shqipërisë juglindore, Maqedonin e Veriut, një pjesë të madhe të saj, pra rreth 2 mln banorë.

Në këtë kontekst, rezulton se investimi në tunelin e Krrabës është gjithsej 32 euro për banor, kundrejt 12000 euro për banorë që është tuneli i Llogarasë.

Rrjedhimisht investimi për banor për tunelin e Krrabës është 375 herë më i vogël se sa për tunelin e Llogarasë, i cili tejkalon çdo lloj standardi të pranueshëm në rrafshin ekonomik dhe e bën atë një mega-aferë korruptive Rama-Balluku, sa një mal.

Sot natyrisht kjo mega-aferë e dyta më e madhja, pa aferës së djegësave, mbyllet, amnistohet nga Zamani dhe Skapi i partisë.

Garantoj shqiptarët se drejtësia, vonon dhe nuk harron, dhe se ky akt do të ndëshkohet me të gjithë forcën e ligjit”, tha Berisha.

/rtsh.al/