RTSH 24 Live

Politikë

Berisha: Sot festa e Pavarësisë, por jemi në diktaturë. Do përballemi me të

28/11/2024

Berisha: Sot festa e Pavarësisë, por jemi në diktaturë. Do përballemi me të

Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar një ditë pas lirimit të tij nga arresti shtëpiak se sot Shqipëria feston 112-vjetorin e pavarësisë por gjendet në diktaturë.

Sipas tij, opozita gjendet në këmbë për t’u përballur me të.

Ju uroj përzemërsisht festën e pavarësisë, Ditën e Flamurit. Shpreh mirënjohje të pakufishme ndaj jush për praninë tuaj në këtë takim. Falënderoj organizatorët dhe të dërguarit e PD-së që janë sot të pranishëm në takimin me ju. Të nderuar zonja dhe zotërinj!

Shqipëria sot ndodhet në një regjim të ri diktatorial dhe feston Ditën e Pavarësisë, e vërteta është, me instalimin e një diktature të dytë 32 vite pasi u përmbys e para. Por në dallim nga diktatura komuniste, diktatura e sotme nuk është një diktaturë ideologjike, është një diktaturë, e cila bazohet në aleancën me krimin, drogën dhe vjedhjen e fondeve dhe pasurive publike të shqiptarëve”, u shpreh Berisha.

Sipas Berishës, kjo është diktaturë që ushtrohet prej një njeriu dhe shndërrimin e zgjedhjeve në farsë.

Është një diktaturë që bazohet në përqendrimin e të gjitha pushteteve në duart e një njeriu. Është një diktaturë që bazohet në rikthimin në Shqipëri të arrestimit dhe burgjeve të kundërshtarëve politikë. Në shndërrimin e proceseve zgjedhore në një farsë zgjedhore. Në kontrollin e plotë të ekonomisë, medies dhe shoqërisë. Pra, është një diktaturë që bazohet në shkelmimin e ligjeve, Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo formë diktaturë, e panjohur ndonjëherë në Europë, por e njohur rëndom në Amerikën Latine dhe në vende të tjera të Afrikës, është forma e diktaturës që nuk zbaton asnjë rregull, asnjë ligj, ndaj studiuesit e kanë cilësuar si formën më të keqe të diktaturave.

Por, si çdo diktaturë, edhe kjo diktaturë nuk mund të ketë jetën e gjatë.

Ndaj dhe ne jemi në këmbë për t’u përballur me këtë diktaturë.

Thashë dhe njëherë, nuk njeh ligje, Kushtetuta, rregulla dhe parime, njeh vetëm interesa mafioze të padrinos apo të kryeministrit që kontrollon çdo pushtet në Shqipëri”, tha Berisha në komunikimin për mediat.

/rtsh.al/