Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka mbledhur të dielën drejtuesit e qarqeve të Partisë Demokratike për zgjedhjet e 2025. Në një lidhje on line, Berisha deklaroi se shqiptarët sot nuk kanë asnjë alternativë dhe nuk kanë kujt tua kërkojnë një gjë të tillë.
“Është e hidhur kur je i detyruar të shqipërosh shumë herë një fjalë, se jemi shpresa e fundit, por e vërteta është se jemi shpresa e fundit. Dhe e vërteta është që misioni juaj është shpresa e fundit. E vërteta është që misioni që do të përmbushim me demokratët dhe demokratet e rretheve është shpresa e fundit për shqiptarët, çka kërkon zhvendosjen tuaj në një nivel tjetër, në një dinamizëm tjetër, në një imagjinatë të re, në një debat intensiv me te gjithë anëtarësinë dhe qytetarët, të cilët ju garantoj ju, presin vetëm udhëheqjen, presin vetëm frymëzimin.”, tha Berisha.
Sipas tij, drejtuesit e qarqeve të PD-së kanë çdo mundësi që ato që presin shqiptarët t’i plotësoni tërësisht.
“Ky është proces kompleks. Udhëheqja juaj në qarqe duhet njëkohësisht dhe paralelisht të angazhohet në debatin më intensiv, së pari për këtë mision. Së dyti, për programin e fitores, i cili si program në shkallë kombëtare edhe lokale do t’u përgjigjet problemeve më madhore qytetarëve shqiptarë. Por me shpejtësi, duhet të marrë fund psikologjia e qytetarëve të dorës së dytë.”, tha Berisha.
Sipas tij, demokratët nuk mund të jenë kurrë qytetarë të dorës së dytë, pasi ata janë qytetarë të klasit të parë, krenarë për idealet që kanë, krenarë me trashëgiminë që kanë.
“Ndaj edhe, përcjellja e këtyre mesazheve, konkretizimi i tyre është vendimtar për fitoren tonë”, tha Berisha.
/rtsh.al/