Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me diasporën në Romë. Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se Shqipëria sot drejtohet nga një njeri që nuk është më një kryeministër, por "Toto Rino" ose "El Çapo shqiptar", duke e akuzuar kryeministrin Edi Rama për lidhje të ngushta me krimin dhe trafikantët.
“Kam ardhur sot të përulem me nderim të madh para jush. Ju jeni frymëzim për arritjet e njeriut. Por kam ardhur gjithashtu besimplotë tek ju për të ndarë me ju rreziqet e mëdha me të cilat përballet vendi ynë i dashur, Shqipëria. Sot në zyrën e kryeministrit nuk është një qeveritar nuk është një qytetar shqiptar. Sot kryetari i qeverisë mund të quhej në mënyrë absolute Toto Rino, çfarë të doni ju. Ky është Edi Rama.
Edi Rama ia ka dorëzuar Shqipërinë krimit. Pronat dhe çdo pasuri përrallore e ndan me trafikantët, e ndan me kriminelët, e ndan me klanet e tij. Shqipëria gjithmonë ka pasur rreziqe, por këtë herë të gjitha rreziqet janë mishëruar në një njeri dhe ky njeri është El Çapo shqiptar apo Toto Rino shqiptar”, tha Berisha.
Berisha theksoi se Shqipëria është shndërruar në "kopshtin e Sorosit" nën qeverisjen e Edi Ramës, dhe akuzoi Ramën për shkatërrimin e opozitës dhe familjes shqiptare. Ai e quajti fitoren e Trump një "mrekulli" për mbrojtjen e lirisë dhe vlerave demokratike, duke shprehur mbështetje për "desorosifikimin" e Shqipërisë si prioritet kryesor të Partisë Demokratike.
“Edi Rama e shndërroi Shqipërinë në kopshtin e Xhorxh Sorosit, armikut të egër jo vetëm të kombit shqiptar, por edhe të njerëzimit. U përpoqën për një Shqipëri pa opozitë, u përdor gjithë pushteti i narkoshtetit shqiptar, por e vërteta edhe pushteti i monstrës së njerëzimit, Xhorxh Soros dhe mafies së tij. Mirëpo ne e dinim se Shqipëria pa opozitë nuk duhet të ekzistojë. Kishim qenë ne pa opozitë, e kishim provuar se çfarë ishte Shqipëria pa opozitë. Nata më e keqe e një kombi. Ndaj dhe nuk u dorëzuam. Ndaj dhe me besim të madh shkojmë drejt fitores. Ekstremi i majtë në SHBA ishte rreziku më i madh pas Luftës së Dytë Botërore që iu kanos njerëzimit. Filloi të lavdërohej censura. Dhe unë jam gëzuar shumë kur në një nga aktet e para, Donald Trump dënoi dhe ndaloi censurën. Censura atje do të thoshte terr për këdo”, tha Berisha.
Berisha shprehu nderim dhe mirënjohje për diasporën shqiptare, duke i cilësuar ata si "frymën e rilindjes kombëtare", që kanë kontribuar me sakrifica dhe punë të palodhur në Itali.
“Kjo diasporë në Itali do të ishte dhe djepi i rilindjes tonë kombëtare. Pas rënies së Perdes së Hekurt një valë më e madhe emigracioni do të mërgonte në Itali. Ata shqiptarë fantazmë të asaj kohe dhe të tjerë që mbërritën më vonë, me sakrifica, punë, ndershmëri u dëshmuan në këtë vend punëtorë të aftë, sipërmarrës të suksesshëm, partnerë luajalë, studentë të shkëlqyer, artistë, shkencëtarë, këngëtarë të mëdhenj që me suksesin e tyre krenohet kombi italian, krenohet kombi shqiptar”, tha Berisha.
/rtsh.al/