Në protestën para Kryeministrisë, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, theksoi se kauza e opozitës për të zëvendësuar qeverinë aktuale është e duhura dhe në interesin më të mirë të Shqipërisë.
Mbështetës të shumtë të demokratëve qëndruan mbledhur para selisë qeveritare, ndërsa z. Berisha u shpreh i bindur për një fitore politike në zgjedhjet parlamentare të radhës.
Këtë mesazh besimi ai tha se do t'ua përçojë edhe shqiptarëve në diasporë, më së shpejti në Romë, që ai do e vizitojë të dielën (9 shkurt).
"Vetëm një vit më parë, në shkurtin e kaluar, ne ishim këtu në shesh në protestën e 20 shkurtit. Lideri i opozitës ishte i arrestuar në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me Kushtetutën. Dhe unë, fjalën time e mbajta nga një ekran televiziv, i burgosur politik. Por në atë protestë ne hodhëm themelet e çdo fitoreje që meritojmë dhe që do kemi. Në atë protestë ne u dëshmuam shqiptarëve se nga hiri u ngritëm si Feniksi dhe se ata që menduan se do na mposhtin ne, dështuan me turp.
Ne jemi të pamposhtur! Sot kemi vulë dhe flamur. Sot jemi më të bashkuar se kurrë. Sot, me tre rezoluta ndërkombëtare, jemi forca politike më e përkrahur. Sot, jemi në këmbë më të vendosur se kurrë në betejë me diktaturën. Do fitojmë! Historia e deshi që ne të jemi e vetmja forcë politike që përmbys dy diktatura njëra pas tjetrës. Diktaturën staliniste të Enver Hoxhës dhe narkodiktaturën e bastardit të bllokut komunist, Edi Ramës.
Mos harroni se fitoret e arritura deri tani, ne i arritëm në kushtet më të jashtëzakonshme, më të vështira. Kurse tani që presidenti Donald Trump i ka prerë gjarprit në Uashington, Xhorxh Soros, e kuptoni ju apo jo çfarë do të thotë kjo. Era e desorosizimit, flladi i tij nga Uashingtoni po fryn në gjithë botën. Ju garantoj ju se nuk fiton kush më shumë nga kjo se shqiptarët, pasi u shndërruan në kopshtin eksperimental të dogmës, jo të Oruellit, por të Sorosit. Pra, edhe ne kemi programin tonë të desorofikimit të vendit, të rivendosjes në piedestal të familjes, vlerave të saj, të besimit tek Zoti, të interesit kombëtar. Shqipërinë e bëjnë shqiptarët dhe shqiptarët patriotë, atdhetarë," deklaroi z. Berisha.
Sipas kryedemokratit, që Shqipëria të mbetet pa opozitë, ky është një skenar i mirëmenduar nga kryeministri Rama.
"Kryetari i PD u vendos në arrest shtëpie me urdhër të Edi Ramës. Me urdhër të Edi Ramës, ish-presidenti i vendit u zvarrit, u godit në mes të rrugës dhe u filmua, duke menduar ky kriminel se do tmerronte opozitën. Me urdhër të Edi Ramës, me mbështetjen e monstrës së njerëzimit Xhorxh Soros, deputeti ynë i ri, Ervin Salianji, martir i gjallë i fjalës së lirë, u burgos sepse u përball dhëmb për dhëmb me klanin mafioz më të rrezikshëm të Shqipërisë, Ballkanit, Europës, klanin Rama-Xhafaj.
Menduan se do të na trembnin. Por gabuan rëndë," tha kryetari i PD-së.
Z. Berisha përsëriti pjesë nga programi politik i demokratëve.
"Ja ku jemi këtu dhe i themi çdo pensionisti se kurrë pas 11 majit, asnjë prej jush nuk do ketë më pak se 200 euro në muaj. Jo vetëm kaq, por çdo njeri prej jush do ketë kartën e konsumatorit për t’u kthyer TVSH-në, e cila është e barabartë me tre pensione. Ne u premtojmë të gjithë punëtorëve me rrogë të ulët, se në Shqipëri pas 11 majit, brenda 3 muajsh, nuk do ketë rrogë nën 500 euro. Dhe se ky do jetë pragu me të cilin do ecim drejt rrogës minimale më të lartë më rajon. Brenda vitit, rroga mesatare do jetë 1200 euro.
Miqtë e mi, ne jemi parti e taksave të ulëta. I garantoj bizneset e vogla se pas 11 majit, së pari do përgjysmohen, së dyti do ecet me shpejtësi drejt një të pestës së tyre. Energjia, që sot ato e paguajnë 18 deri 24 lekë, do jetë 3.2 herë më e ulët. Do jetë 7 lekë. Tarifat e sipërfaqeve të sipërmarrjeve të bizneseve do pjesëtohen me tre. Do ulen tre herë. Taksa e sheshtë 10 për qind për bizneset e tjera është zotimi ynë," tha z. Berisha.
/rtsh.al/