RTSH 24 Live

Rajon

Beograd, mbahet asambleja e PABSEC, Shqipëria rrëzon aprovimin e mandateve të delegacionit rus

08/12/2022

Beograd, mbahet asambleja e PABSEC, Shqipëria rrëzon aprovimin e mandateve të delegacionit rus

Në Beograd u mbyll sesioni i 60-të i Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (PABSEC).

Sesioni u shoqërua me debate të nxehta për shkak se në të bëjnë pjesë si Ukraina, ashtu edhe Rusia.

Delegacioni shqiptar me në krye deputetin socialist Petro Koçin u bë protagonisti kryesor për rrëzimin e aprovimit të mandateve të delegacionit rus në Asamble.

“Me ndërhyrje të vendosura dhe të sakta u shmang çdo manovër për t’i bërë dredha rregullores që kishin synim të arrihej vlefshmëria e mandateve të Rusisë, duke shpikur opsionin e votimit në bllok të të gjitha mandateve të delegatëve të rinj”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Votimi u krye në përputhje me rregulloren dhe asnjë mandat i ri i Rusisë nuk u aprovua.

Në krah të Shqipërisë ishte aktiv edhe delegacioni rumun. Në favor të Rusisë votuan Serbia, Armenia, Turqia.

Në fjalën e tij, deputeti socialist Petro Koçi theksoi se “nuk kemi të bëjmë thjesht me një konflikt, por me luftë naziste të Rusisë ndaj Ukrainës.

“Ukraina po lufton për çlirim, ndërsa Rusia po kryen luftë pushtuese. Çdo deputet i Rusisë është njëlloj përgjegjës për agresionin mbi Ukrainën”, u shpreh ai.

Delegacioni rus u largua me nervozizëm nga sesioni. Ndërkohë amendamentet e delegacionit ukrainas kaluan të gjitha në dokumentet e aprovuara në Asamble.

Megjithëse statuti i organizates nuk parashikon përjashtimin si opsion, mosaprovimi i mandateve ruse është de facto përjashtim.

Delegacioni ukrainas i shprehu mirënjohje të veçantë Shqipërisë për këmbënguljen aktive të delegacionit për të materializuar në vendimmarrje vullnetin politik të organizatës.


/ rtsh.al /