RTSH 24 Live

Politikë

Begaj pret Escobarin, diskutohet “Kosova, agresioni rus në Ukrainë dhe sulmet kibernetike”

11/04/2023

Begaj pret Escobarin, diskutohet “Kosova, agresioni rus në Ukrainë dhe sulmet kibernetike”

Gjatë takimit mes të Dërguarit të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar me  presidentin Bajram Begaj është diskutuar mbi një sërë çështjesh me rëndësi për Ballkanin Perëndimor.

Begaj ka nënvizuar rolin e SHBA-ve për garantimin e paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor ndërsa iu referua edhe angazhimit të Escobar gjatë “procesit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”

 “Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me në qendër njohjen e tyre reciproke, është një proces me ndikim të madh rajonal, si në kuadër të aspekteve të sigurisë ashtu edhe të zhvillimit të qendrueshëm të tij”, ka theksuar Begaj.

Një nga pikat e tjera të rëndësishme kanë qenë sfidat dhe kërcënimet me të cilat po ballafaqohet rajoni i Ballkanit Perëndimor, pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë.  

Begajn nënvizoi se “falë qasjes së re gjeopolitike edhe nga Bashkimi Evropian, sot kemi një vëmendje të shtuar ndaj këtij rajoni."

Një vëmendje të veçantë gjatë takimit e mori çështja e sigurisë kibernetike dhe kërcënimeve hibride, për të cilën Begaj, shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe asistencën e agjencive të specializuara amerikane.

Ai i konsideroi ato të një rëndësie jetike dhe vendimtare për rritjen e kapaciteteve dhe aftësive kibernetike të Shqipërisë. Në këtë takim mori pjesë edhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim. 

/rtsh.al/