RTSH 24 Live

Aktualitet

Begaj-Plenković: Kroacia mbështetje Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE

06/12/2022

Begaj-Plenković: Kroacia mbështetje Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE

Presidenti Bajram Begaj priti të martën në takim Kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Andrej Plenković, i cili ndodhej në Tiranë për të marrë pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor.

Begaj vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira e tradicionalisht miqësore mes dy vendeve si dhe rolin shumë të veçantë që ka luajtur dhe luan diaspora shqiptare në Kroaci, duke iu referuar diasporës së vjetër të Arbanasve të Zarës si “një krenari e përbashkët”.

Lidhur me partneritetin e ngushtë në NATO, Presidenti Begaj vlerësoi rrugëtimin e përbashkët të dy vendeve, të cilat sot kontribuojnë me të gjitha kapacitetet politike e diplomatike për garantimin e paqes dhe të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti Begaj vlerësoi mbështetjen që Kroacia i ka dhënë e po i jep Shqipërisë dhe procesit të zgjerimit, duke shtuar se “organizimi i Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë është mesazhi më i mirë për këtë mbështetje”.

Të dy bashkëbiseduesit u ndalën dhe në zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke nënvizuar domosdoshmërinë e vijimit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe ndikimin e përshkallëzimit të agresionit ushtarak rus në Ukrainë për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit.

 

/ rtsh.al /