RTSH 24 Live

Politikë

Begaj me shqiptarët e Bosnjës, zotohet për përfshirjen e tyre në vendimmarrje

3 orë para

Begaj me shqiptarët e Bosnjës, zotohet për përfshirjen e tyre në vendimmarrje

Gjatë vizitës zyrtare në Sarajevë, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi një takim të veçantë me shqiptarët që jetojnë në Bosnjë-Hercegovinë.

Komuniteti i përfaqësuar në Sarajevë e Mostar nga shoqata “Bashkësia Shqiptare në Bosnjë dhe Hercegovinë” ndau me Presidentin e Shqipërisë shqetësimet për çështjen e respektimit të të drejtave të plota si pakicë.

Presidenti Begaj vlerësoi integrimin natyror të komunitetit shqiptar në shoqërinë e Bosnjë-Hercegovinës, duke u zotuar për adresimin e shqetësimeve të tyre.

Rihapja e ambasadave përkatëse nga të dyja shtetet u konsiderua një lajm i mirë për ndihmën që do t’i japë këtij komuniteti.

Shqiptarët në Bosnjë-Hercegovinë nuk përfshihen në tri grupet etnike me të drejtë përfaqësimi në vendimmarrje dhe ky kategorizim i penalizon ata nga pjesëmarrja në politikë, në strukturat lokale dhe ato qendrore.

Presidenti Begaj u shpreh gjatë bashkëbisedimit me komunitetin shqiptar se këtë shqetësim e ka ngritur gjatë takimeve që zhvilloi me Presidentin e radhës të Bosnjë-Hercegovinës, anëtarët e Presidencës dhe Kryeministren e vendit.

Gjithashtu, Presidenti Begaj përgëzoi përpjekjet për ruajtjen e gjuhës, traditave, identitetit kombëtar, ndërsa siguroi se do të jetë krah shqiptarëve në Bosnjë-Hercegovinë në mënyrë që ata t’i gëzojnë këto të drejta ashtu si minoriteti boshnjak dhe serb në Shqipëri.

/rtsh.al/