RTSH 24 Live

Politikë

Begaj: Dhuna ndaj gazetarëve në ushtrimin e detyrës, e patolerueshme në një shoqëri demokratike

09/02/2023

Begaj: Dhuna ndaj gazetarëve në ushtrimin e detyrës, e patolerueshme në një shoqëri demokratike

Presidenti, Bajram Begaj, dënon dhunën e ushtruar ndaj punonjësve të medias në krye të detyrës. Ndërsa, gazetarë të një emisioni investigativ kanë rënë pre e kërcënimeve dhe dhunës gjatë ushtrimit të detyrës, në një fshat të qytetit të Krujës, presidenti kërkon ndjekjen me përgjegjshmëri të rastit nga organet ligjzbatuese.

Për Begajn, kërcënimi i jetës së gazetarëve në ushtrimin e detyrës është e patolerueshme në një shoqëri demokratike.

Mësova me keqardhje për kërcënimin me armë, ndalimin dhe dhunimin e ushtruar ndaj grupit të xhirimit të emisionit “Fiks Fare”, gjatë kryerjes së misionit të tyre hulumtues e denoncues në fshatin Nikël të Krujës.

Shpreh indinjatën mbi këtë akt të rëndë të dhunimit të punonjësve të medias, si dhe mbështes emisionin “Fiks Fare” në misionin, guximin dhe profesionalizmin që ka treguar në denoncimin publik të fenomeneve korruptive dhe dukurive që shqetësojnë shoqërinë shqiptare.

Inkurajoj organet ligjzbatuese ta ndjekin me përgjegjshmëri të lartë këtë rast flagrant të  dhunimit të fjalës së lirë. Kërcënimi i jetës së gazetarëve në ushtrimin e detyrës nuk duhet të tolerohet në një shoqëri demokratike!”, shkruan Begaj.

/rtsh.al/