RTSH 24 Live

Politikë

Nis "karantina" për institucionet publike, do raportojnë në KQZ, rastet kur humbet vendi i punës

06/01/2025

Nis "karantina" për institucionet publike, do raportojnë në KQZ, rastet kur humbet vendi i punës

Katër muaj përpara zgjedhjeve të 11 majit 2025, institucionet publike, mbi bazën e Kodit Zgjedhor, duhet të raportojnë për të gjitha veprimtaritë me karakter publik, qendror dhe vendor, si dhe agjencitë dhe/ose ndërmarrjet shtetërore.

Kryekomisioneri i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, publikoi të hënën një kujtesë lidhur me veprimtaritë e institucioneve publike.

Raportimi ka të bëjë me veprimtaritë që këto institucione planifikojnë të zhvillojnë në periudhën katër muaj para datës së zgjedhjeve, deri ditën e zgjedhjeve. KQZ ka përgjegjësinë dhe detyrimin ligjor t’i mbikëqyrë, raportojë dhe t’i ndalojë ato kur janë në shkelje të ligjit.

Mbi bazën e Kodit Zgjedhor, të gjithë institucionet publike qendrore e vendore, që ushtrojnë veprimtari të karakterit publik, si dhe KQZ e administrata e saj, duhet të respektojnë të gjitha rregullat normuese që kanë të bëjnë me procesin e njoftimit të veprimtarive publike, sipas afateve kohore të vendosura në Kodin Zgjedhor, dhe kryejnë të gjitha procedurat që lidhen me këtë detyrim ligjor, me përgjegjësi e në përputhje me legjislacionin përkatës.

Celibashi solli në vëmendje të institucioneve publike se duke duke filluar nga data 11 janar deri në datën 11 maj, çdo organ publik ka detyrimin të raportojë paraprakisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, mbi veprimtaritë publike të kryera nga titullari dhe/ose çdo punonjës i administratës, apo personeli tjetër i institucionit.

Këtij detyrimi i nënshtrohen edhe entet e tjera ku shteti zotëron kapital/kuota/aksione ose/dhe emëron shumicën e organit mbikëqyrës apo organit administrues të entit.

Një veprimtari konsiderohet publike kur ajo do të pasqyrohet, sipas rastit, në radio, në televizion, në shtyp, në faqe interneti, në median online, në rrjete sociale, ose nëpërmjet çdo mjeti tjetër që mundëson publikun e gjerë të njihet, apo të informohet mbi atë veprimtari.

Raportimi për veprimtarinë bëhet nëpërmjet Ndërfaqes Elektronike e Raportimit të Institucioneve (NRI) e cila përfaqëson faqen zyrtare të internetit të zotëruar dhe në shërbim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të institucioneve të tjera për ushtrimin e detyrave e të përgjegjësive ligjore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor.

Çdo institucion publik krijon një llogari të vetën në NRI. Institucioni publik është përgjegjës për të dhënat që ngarkon në NRI dhe në tërësi për mbajtjen dhe administrimin e llogarisë.

Personat përgjegjës për raportimin

“Personi përgjegjës për raportimin” është Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, sekretari i përgjithshëm i ministrisë, nëpunësi me hierarkinë më të lartë në bashki, drejtori i përgjithshëm apo drejtuesi më i lartë administrativ për agjencitë dhe institucionet nën varësinë e Këshillit të Ministrave, drejtuesi ekzekutiv i shoqërive tregtare në të cilat shteti ka pjesëmarrje në më shumë se 50 përqind të aksioneve, drejtuesi ekzekutiv i ndërmarrjeve shtetërore.

Personat përgjegjës për raportimin mundet të autorizojnë një person të tretë për raportimin, por në çdo rast janë ata përgjegjës për përmbushjen e këtij detyrimi.

Përdoruesi përfaqësues i institucionit regjistrohet duke plotësuar të dhënat e kërkuara dhe aplikimi i tij menaxhohet nga KQZ për miratim ose refuzim. Në miratimin e raportuesit kredencialet vijnë në email-in e vendosur në aplikim. “Profili im” është menuja që ju mundëson shikimin e të dhënave tuaja si përdorues, përfaqësues i institucionit për raportim aktivitetesh. Ju mund të shikoni të dhënat tuaja personale, rolin dhe institucionin përfaqësues dhe nuk mund t’i ndryshoni ato. Portali jep mundësinë vetëm të ndryshimit të fjalëkalimit.

Raportimi i aktivitetit

Raportimi i një aktiviteti është një proces që përfshin regjistrimin dhe dokumentimin e aktiviteteve që sapo kanë filluar ose janë planifikuar për t’u realizuar nga institucioni. Procesi i raportimit të aktiviteteve të reja është i rëndësishëm për të siguruar transparencë, monitorim dhe vlerësim të progresit të aktiviteteve.

Raportimi duhet të përmbajë, data dhe ora e zhvillimit të veprimtarisë̈, qarkun, bashkinë adresën ku ajo zhvillohet, llojin e saj, qëllimin dhe tematikën e veprimtarisë, emër mbiemër të personave pjesëmarrës të cilët përfaqësojnë nivelin më të lartë hierarkik shtetëror në aktivitetin përkatës, institucionin të cilit i përkasin, emër mbiemër të folësve të mundshëm dhe pozicionin e tyre, me pjesëmarrje të medias ose jo, pasqyruar në rrjete sociale, median online, ose jo.

Raportimi në NRI për një veprimtari publike të caktuar duhet të bëhet jo më vonë se 5 (pesë) ditë përpara datës së planifikuar për zhvillimin e veprimtarisë. Raportimi bëhet për veprimtari të cilat organizohen, ose bashkë-organizohen nga institucioni publik raportues. Nuk raportohen veprimtari ku institucioni publik, apo përfaqësues të tij janë ftuar për të marrë pjesë.

Të dhënat e raportimit nuk mund të modifikohen në periudhën 5 (pesë) ditë përpara datës së zhvillimit të aktivitetit deri në datën e zhvillimit të tij.

Veprimtaritë me karakter publik

Zhvillimi i çdo veprimtarie me karakter publik, sipas përcaktimeve të pikave 1 dhe 2 të kësaj kujtese, me pjesëmarrjen e punonjësve të organeve publike duhet të raportohen. Ndalohet në këto veprimtari përdorimi i shenjave, logove, sloganeve, pankartave, posterave të lëvizshëm ose jo, materialeve propagandistike që identifikojnë drejtpërsëdrejti, apo tërthorazi një parti politike/subjekt zgjedhor apo kandidat në zgjedhje.

Veprimtaritë që nuk raportohen në KQZ dhe çfarë ndalohet

Veprimtaritë politike/elektorale nuk raportohen në KQZ. Gjatë zhvillimit të veprimtarive me karakter politik/elektoral, ndalohet pjesëmarrja e nëpunësit dhe funksionarit publik gjatë orarit zyrtar; ndalohet përdorimi i burimeve publike; ndalohet përdorimi i simboleve, logove apo të tjera të ngjashme të institucioneve publike; ndalohen deklarime në emër të institucionit publik nga pjesëmarrësit, pavarësisht faktit se ata mundet të jenë drejtues të këtyre institucioneve, apo pjesë të organikës së tyre; ndalohet pasqyrimi i këtyre veprimtarive në rrjetet sociale të institucioneve publike.

Po ashtu, ndalohet promovimi i projekteve të ndryshëm në investime, shërbime, për të cilat fondet janë planifikuar pas datës 11 janar dhe jashtë programit vjetor buxhetor të miratuar në fillim të vitit.

Ndalohet shpërndarja publike e lejeve të legalizimit dhe/ose çdo titulli pronësie në periudhën e përcaktuar në këtë kujtesë.

Ndalohet zhvillimi i veprimtarive sikurse përcaktohet në pikën 10 të kësaj kujtese, apo veprimtarive të tjera me karakter politik/zgjedhor në selitë dhe oborret e shkollave, në spitale e të tilla të ngjashme, në selitë e organeve publike qendrore dhe vendore, të tilla si ministri, bashki, agjenci të ndryshme e të tilla të ngjashme.

Ndalohet zhvillimi i veprimtarive sikurse përcaktohet në pikën 10 të kësaj kujtese, apo veprimtarive të tjera me karakter politik/zgjedhor si dhe në biblioteka, qendrat kulturore përveç kur këto janë përcaktuar me vendim/udhëzim nga institucioni që i ka në varësi, si qendra multifunksionale.

Humbja e vendit të punës

Titullarët apo personat përgjegjës për drejtimin/administrimin e qendrave multifunksionale, qendrave kulturore dhe ambienteve sportive duhet të përllogarisin paraprakisht vënien në dispozicion në mënyrë asnjanëse të ambienteve për të gjithë subjektet zgjedhore apo kandidatët pa favorizuar asnjë prej tyre.

Drejtuesi i institucionit, apo edhe funksionarë të tjerë pjesëmarrës, edhe pse njëkohësisht mundet të kenë status, apo angazhim politik, në një aktivitet institucional, nuk duhet të përfaqësojnë as direkt dhe as indirekt këtë profil të dytë të tyre.

Punonjësi i administratës shtetërore i cili është regjistruar si kandidat për zgjedhjet pezullohet nga detyra nga momenti i regjistrimit të tij si kandidat deri në datën e përfundimit të numërimit të votave në zonën ku është kandidat. Për nëpunësit, marrëdhënia e punës të të cilëve rregullohet nga Kodi i Punës, në rastet kur nuk njoftojnë për kandidimin në zgjedhje, merret masa e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës.

/rtsh.al/