Komisioni Evropian tha të enjten se ka rritur monitorimin e tij ndaj TikTok në kontekstin e zgjedhjeve në Rumani, pasi mori informacione për ndërhyrje të mundshme ruse.
Autoritetet rumune pretenduan se ka pasur ndërhyrje ruse dhe një “trajtim preferencial” të kandidatit presidencial të ekstremit të djathtë, Calin Georgescu nga TikTok, një pretendim që rrjeti social e ka mohuar.
“Pa komentuar ndonjë shkelje të mundshme të rregullave nga platforma, Komisioni Evropian i ka kërkuar TikTok-ut të ngrijë dhe ruajë të dhënat në lidhje me rreziqet aktuale apo të parashikueshme sistemike, që shërbimi i tij mund të paraqesë në proceset zgjedhore dhe diskursin qytetar në BE”, thuhet në një deklaratë.
Komisioni Evropian vepron si mbikëqyrësi digjital i BE-së, sipas Rregullores së Shërbimeve Digjitale (DSA), e cila hyri plotësisht në fuqi më 17 shkurt.
“TikTok gjithashtu duhet të ruajë dokumentet dhe informacionin e brendshëm, në lidhje me hartimin dhe funksionimin e sistemeve të tij të rekomandimeve”, tha Komisioni.
“Platformës i është thënë gjithashtu të ruajë informacione mbi mënyrën se si trajton rrezikun e “manipulimit të qëllimshëm”, bëhet e ditur në deklaratën e Komisionit.
Rumania do të zhvillojë balotazhin e saj presidencial të dielën, një votim kyç për anëtarët e BE-së dhe NATO-s në kufi me Ukrainën.
Diskursi nacionalist i Georgescu i mbushur me misticizëm, ka goditur në shenjë në rrjetet sociale, veçanërisht në TikTok, ku videot e tij janë parë miliona herë.
Georgescu, një ish-nëpunës i lartë civil, tronditi vendin e Evropës Lindore kur ai kryesoi në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale më 24 nëntor.
/ rtsh.al /