RTSH 24 Live

Botë

BE ndryshon statusin për ujqërit - Gjuetia do të jetë më e lehtë, pasi po krijojnë probleme për komunitetet lokale

20 orë para

BE ndryshon statusin për ujqërit - Gjuetia do të jetë më e lehtë, pasi po krijojnë probleme për komunitetet lokale

Ujqërit në Evropë do të jenë më pak të mbrojtur nga gjuetia nga viti 2025, pasi shumica e shteteve evropiane pranuan një propozim për ta ulur statusin e mbrojtjes të kësaj kafshe për shkak të rritjes së numrit dhe ndikimit ndaj bujqësisë dhe gjedheve të fermave.

Nga 7 marsi i vitit të ardhshëm, statusi i ujqërve do të ulet nga “rreptësishtë të mbrojtur ” në “të mbrojtur” sipas Konventës së Bernës për Ruajtjen e Botës së Egër dhe Habitateve Natyrore Evropiane.

“Lajm i rëndësishëm për komunitetet tona rurale dhe bujqit. Na nevojitet një qasje e baraspeshuar mes ruajtjes së botës së egër dhe mbrojtjes së mjeteve tona të jetesës” – tha para votimit presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Por vendimi u dënua nga grupet për mirëqenien e kafshëve, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”. Deri më tani, ujqërit kanë qenë të mbrojtur nga gjuetia e qëllimshme ose kapja, përpos rasteve kur ata paraqisnin rrezik serioz ndaj gjedheve, shëndetit ose sigurisë. Sipas statusit të tyre të ri, çfarëdo “shfrytëzimi” i ujqërve “do të rregullohet me qëllim që të mbahen popullsitë jashtë rrezikut”, praktikisht prag shumë më i ulët për gjuetinë kundër tyre.

Ndryshimi i dënuar nga grupet mjedisore ishte propozuar vitin e kaluar nga Komisioni Evropian, pasi rritja e numrit të ujqërve çoi në konflikte me komunitetet lokale të bujqve dhe gjahtarëve dhe në thirrje për marrjen e masave që të parandaloheshin sulmet ndaj gjedheve.

/RTSH/