Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian i është drejtuar liderëve të Kosovës dhe Serbisë, Kurti e Vuçiç që të nisë puna për formimin e Asociacionit pa kushte apo parakushte të vendosura nga palët.
Përmes Borrellit, Bashkimi Evropian thekson se është e shqetësuar për mungesën e zbatimit të zotimeve të arritura në Marrëveshjen për normalizim dhe Aneksin e Zbatimit, për të cilat Kosova dhe Serbia u pajtuan përgjatë këtij viti.
Sipas BE-së, marrëveshja është e detyrueshme dhe luan rol në rrugën evropiane të të dyja vendeve.
“BE-ja u kërkon palëve të angazhohen me konstruktivitet dhe mirëbesim. Kjo nënkupton nisjen e zbatimit bazuar në Propozimin e BE-së pa vonesa të mëtejme, që gjithashtu përfshin detyrimin e të dyja palëve për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të dialogut. Puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejmë”, thuhet në letrën e BE-së drejtuar Prishtinës dhe Beogradit.
Më tej përmes Borrellit, BE thekson se “u kujton palëve përgjegjësinë për të respektuar parimin e konfidencialitetit në dialog, komponentin kyç të çdo procesi negociator të ndjeshëm politik”. BE ngre shqetësimin për mungesën e përparimit nga palët në shtensionimin e situatës në veri.
“Pavarësisht thirrjeve të përsëritura të BE-së dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, hapat e ndërmarrë deri tani janë të pamjaftueshëm dhe situata e sigurisë në veri mbetet e tensionuar. “Në këtë kontekst, lëvizjet e Kosovës – përfshirë shpronësimet në veri, urdhrat e dëbimit, telekomunikacionin dhe përdorimi i forcave speciale të policisë për detyrat policore në komunitet – nuk janë në përputhje me sundimin e ligjit dhe rrezikon të kontribuojë në rritjen e mëtejme të tensioneve.
Sulmet e vazhdueshme në shkallë të vogël nga grupet kriminale dhe frikësimi i kadetëve serbë të Policisë së Kosovës/popullatës lokale, janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë. Bllokimi i udhërrëfyesit për energjinë nga Serbia, si dhe përpjekjet tjera që nuk janë në vijë me Marrëveshjen për normalizim dhe aneksin e saj, bien ndesh me frymën e dialogut”, thuhet në letrën e Bashkimit Evropian.
BE-ja ka përsëritur se kërkesat e 3 qershorit mbesin të vlefshme e se masat e ndërmarra, përfshirë pezullimin e takimeve të nivelit të lartë me Kosovën.
“BE-ja është e gatshme t’i heqë masat në rast të përparimit në përmbushjen e kërkesave ekzistuese, ose të vlerësojë masat e mëtejshme ndaj të dyja palëve, nëse është e nevojshme”, thuhet në letër.
Gjithashtu, BE ka përsëritur se është e rëndësishme që të mbahen sa më shpejt zgjedhjet e reja në veri të Kosovës.
“BE-ja u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë, të të gjitha niveleve qeverisëse, në Kosovë e Serbi, të angazhohen me konstruktivitet në procesin që shpie në zgjedhjet e parakohshme në veri të Kosovës, që të shmangin hapat e mëtejmë të eskalimit dhe të përkrahin përparimin në dialog”, thuhet në letër.
BE-ja u ka ofruar mbështetje të plotë Josep Borrellit dhe emisarit Miroslav Lajçak.
Duke ua kujtuar Kosovës e Serbisë se rruga drejt BE-së është përmes dialogut dhe normalizimit të raporteve, BE-ja ka shtuar se “të dyja rrezikojnë humbjen e mundësive për përparim në rrugën evropiane”.
Më 14 shtator, Kurti dhe Vuçiç kishin takimin e fundit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Nga ky takim nuk pati asnjë rezultat. Kryeministri Albin Kurti ka propozuar një udhërrëfyes për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara më parë, ndërsa theksoi se Serbia dhe ndërmjetësit kanë insistuar vetëm në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
/rtsh.al/