Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano ka deklaruar se Kosova duhet të dëgjojë mesazhin partnerëve ndërkombëtarë sa i përket vendimeve të fundit, që janë cilësuar si të njëanshme dhe të pakoordinuara.
Stano ka bërë të ditur se masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të vendosura në qershor të vitit të kaluar për shkak të rritjes së tensioneve në veri, janë ende në fuqi dhe mund të ashpërsohen më tej nëse Kosova nuk ndryshon kurs, veçanërisht mbi mbylljen e nëntë degëve të Postës së Serbisë në Kosovë nga autoritetet dhe synimit të qeverisë së Kosovës që të hapë për trafikun urën mbi lumin Ibër.
“Në vend të hapave që do të çonin në uljen e tensioneve, janë ndërmarrë shumë e më shumë hapa dhe vendime të njëanshme që çojnë drejt përshkallëzimit. Atëbotë thamë që masat janë progresive, ato mund të ashpërsohen apo lehtësohen varësisht nga zhvillimi i situatës. Kjo pjesë prek pjesën e parë të pyetjes, se çfarë do të bëjmë [pas vendimeve të fundit të autoriteteve në Kosovë]. Pra, kemi masa në fuqi dhe këto masa mund të ashpërsohen nëse për një gjë të tillë pajtohen të gjithë akterët e BE-së”, tha Stano.
Gjithashtu, edhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell përmes një raporti dërguar shteteve anëtare kishte rekomanduar në muajin qershor heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
Masat ndaj Kosovës u vendosën para një viti si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët lokalë nisën detyrën e tyre në komunat në veri.
Stano shtoi se blloku evropian ia ka bërë të qartë Kosovës që të mos marrë hapa të pakoordinuar dhe të njëanshëm në të kundërt masat ndaj Prishtinës zyrtare do të ashpërsohen edhe më tej.
“Praktikisht të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Kosovës po i thonë administratës në Prishtinë të mos angazhohet në këtë seri hapash të pakoordinuar, të njëshëm dhe negativë. Shpresoj që ata më në fund do të dëgjojnë mesazhin tonë dhe të na ndalojnë që të shqyrtojmë se çfarë lloje masash ne do të vendosnim në përgjigje nëse situata nuk ndryshon”, tha Stano.
/rtsh.al/