RTSH 24 Live

Aktualitet

Bastet online/ Këshilli Shqiptar çon rekomandimet: Të ndalohen minorenët. Numërohen 2 milionë pika bastesh

03/04/2023

Bastet online/ Këshilli Shqiptar çon rekomandimet: Të ndalohen minorenët. Numërohen 2 milionë pika bastesh

Rikthimi i basteve online ka sjellë edhe një herë në vëmendje shqetësimin e varësisë prej tyre.

Në një intervistë për gazetarin Andri Xhahu në emisionin “Në radio”, drejtuesi i Këshillit Shqiptar për Problemet e Lojërave të Fatit, Henri Telharaj, u shpreh se nuk është kundër këtij ligji pasi do të mund të rregullojë marrëdhënien e industrisë dhe të lojtarëve.

Por deri tani është luftuar industria dhe jo varësia ndaj lojërave të fatit.

“Problemi më i madh është për ata individë të cilët nuk arrijnë dot të kontrollojnë veten ose impulset e tyre. Po kështu edhe për familjarët. Mbi të gjitha është problemi i shoqërisë, së cilës i cënohet mirëqenia sociale dhe financiare," thotë Telharaj.

Telharaj tha se nga puna në terren gjatë katër viteve që u ndalua aktiviteti i lojërave të fatit dhe basteve sportive, rezultoi që ato nuk kanë qenë të mbyllura asnjëherë. “Kemi pasur 4300 pika llotosh. Ndalimi i tyre edhe pse në dukje ishte e mirë, përshkallëzoi tendencën për të shkuar online. Që nga 1 janari 2019 numërohen mbi dy milion pika bastesh. Çdo lloj telefoni është një platformë për të luajtur. Sa më lehtë të luash, aq më lehtë të humbësh, dhe sa më lehtë të humbësh aq më lehtë krijohen problematikat.”

Përveç shifrave alarmante, një problematikë ka qenë edhe kriminaliteti. “Ka pasur persona që kanë rënë pre e borxheve. Kemi telefonata, email-e dhe mesazhe nga familjarë të këtyre individëve që nuk dinë ku të drejtohen. Varësia nga lojërat e fatit prek mesatarisht 7 deri në 10 persona në jetën e një individi. Pra prek financiarisht, emocionalisht dhe psikologjikisht të afërm, familjarë, rreth shoqëror dhe marrëdhënie sentimentale.”

Për Telharajn pak rëndësi ka nëse bastet dhe lojrat e fatit do të hapen ose jo, dhe se sa kompani do të lincesohen. “Në qoftë se qeveria thotë se projektligji i ri do të përfshijë të ardhura në ndihmë të sportit, teknologjisë dhe inovacionit, ajo që ne ngremë si problemin më të madh është shëndeti mendor. Çfarë do të bëhet për këta individë dhe familjarët e tyre? E rëndësishme është t’i drejtojmë politikëbërësit drejt një platforme ndihmuese për ta.”

Si drejtues i Këshillit Shqiptar për Problemet e Lojërave të Fatit, ai kërkon të ketë pjesëmarrje në ligjin e konsultimit publik për mbrojtjen e qytetarëve. “Ne kemi çuar në një tyrezë në ministri rekomandimet e afirmuara nga partneritetet tona europiane. Së pari ndalimi emergjent që minorenët të mos lejohen të marrin pjesë në asnjë aktivitet të lojrave të fatit. Duhet të krijohen fushata ndërgjegjësimi të detyruara për moshat 14-18 vjeç, sepse parandalimi është më i mirë se kurimi. Është detyrim ligjor që kur një qytetar hyn në një faqe bastesh ose të lojërave të fatit, të ketë një link të një organizate ose entiteti ku mund të kërkojnë ndihmë në 24 orë. Mbi të gjitha trajnim i punonjësve të industrisë së lojrave të fatit.”

Një tjetër pikë e rekomanduar është edhe linja e këshillimit falas, jo vetëm për shqetësimin e varësisë ndaj lojrave të fatit por edhe për çështjet e vetëvrasjeve. “Kemi pasur një numër shumë të lartë vetëvrasjesh në Shqipëri. Deri me 28 shkurt, numërohen 16 vetëvrasje. Nuk them se kanë ardhur nga varësia e lojrave të fatit por nuk janë hetuar. Sikur minimalisht njëra prej tyre të ketë ndodhur për këtë arsye, atëherë pse nuk po përpiqemi ta parandalojmë? Unë dyshoj se ka shumë herë më shumë raste. Vetëm në Botërorin e 2018-ës kemi pasur dy raste vetëvrasjesh nga bastet sportive.”

/rtsh.al/