RTSH 24 Live

Ekonomi

Bashkia Shkodër mbështet të rinjtë që aplikojnë në skemën e grantit për biznes

8 orë para

Bashkia Shkodër mbështet të rinjtë që aplikojnë në skemën e grantit për biznes

Në sallën e Qendrës Rinore "Atelie", të rinjtë shkodranë kanë prezantuar idetë e tyre të biznesit pasi i janë përgjigjur Skemës së Grantit Për Të Rinjtë, e aplikuar për herë të parë nga Bashkia Shkodër.

Nënkryetari i Bashkisë, Rudin Beka, tha se kjo ishte një iniciativë e kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Beci, për t'u dhënë mundësi të rinjve të krijojnë iniciativa në biznes. Ai u shpreh i befasuar nga numri i lartë i aplikimeve, por edhe nga idetë gjithëpërfshirëse dhe inovative.

Kemi tre muaj që e kemi hapur si thirrje për aplikim dhe ishte befasuese numri i lartë i aplikimeve. Do shohim numrin final. Për herë të parë është 100 përqind financim i bashkisë, në këtë nivel shumë të lartë. Mendojmë të kemi 4 deri në 5 ekipe fituese”, tha Beka.

Nënkryetari i Bashkisë Shkodër u shpreh se ky institucion do të funksionojë si fasilitator dhe mbështetës për të rinjtë, me qëllim që ata të krijojnë një jetë të kënaqshme në qytetin e tyre.

Të rinjtë aplikues kanë prezantuar projekt-propozimet e tyre para një ekipi vlerësues, teksa do të mbështeten idetë inovative, por të cilat janë të aplikueshme në territorin e Bashkisë Shkodër.

Gazetar: A.Hoti  

/rtsh.al/