RTSH 24 Live

Politikë

Basha sfidon Metën për postin e Presidentit të Partisë së Lirisë

24/04/2024

Basha sfidon Metën për postin e Presidentit të Partisë së Lirisë

Faik Basha është rivali i parë kundër Ilir Metës, për postin e Presidentit të Partisë së Lirisë. Lajmi është bërë i ditur nga vetë Basha, nëpërmjet një postimi në mediat sociale. Basha e shpalli të mërkurën kandidimin të tij për President të PL-së në Konventën Kombëtare të kësaj force politike, e cila do të zhvillohet më 27 prill. Ai do të garojë përballë Metës, i cili aktualisht është edhe  kryetar i Partisë së Lirisë.

Basha ka publikuar edhe sloganin e tij të fushatës: “Guxo për Shqipërinë”.

“Unë besoj tek Partia e Lirisë, pasi kjo forcë politike është angazhuar ndër vite dhe vijon të investojë tek rinia, që janë e ardhmja e vendit tonë dhe intelektualët e ndershëm, të cilët do të rimëkëmbin vendin”, shkruan ai.

Ai deklaron se është i pa përfshirë në asnjë lloj skandali, ndaj kërkon që të gjithë formimin, profesionalizmin, besimin, kapacitetin, imazhin, dhe vullnetin, ta ushtroj në të mirë të Shqipërisë.

“Pavarësisht ofertave të ndryshme, për asnjë arsye nuk e braktisa detyrën dhe Atdheun, duke qëndruar stoik edhe përballë çdokujt dhe çdo gjëje që kërcënon sovranitetin e popullit shqiptar. Arsyet se përse vendosa t’i bashkohem familjes së Lëvizjes Socialiste për Integrim, sot Partia e Lirise ishin keqqeverisja, krimi dhe korrupsioni madhor, që ka kapluar vendin tonë nën një regjim mafioz. Duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me njerëzit e thjeshtë, tashmë dëshiroj të bëhem zëri i padëgjuar i tyre dhe të jem një nga njerëzit që do të kontribuojë në avancimin e Shqipërisë, si të gjitha vendet evropiane apo edhe vendet e rajonit.”, shkruan Basha.

Ai shprehet se beson tek Partia e Lirisë, pasi kjo forcë politike është angazhuar ndër vite dhe vijon të investojë tek rinia, që janë e ardhmja e vendit tonë dhe intelektualët e ndershëm, të cilët do të rimëkëmbin vendin!

“Shqipëria është në kolaps dhe është i domosdoshëm largimi i menjëhershëm i kësaj qeverie, që për vite mbushën xhepat e tyre dhe zbrazën sofrat e shqiptarëve. Shqipërisë i duhet një frymë e re, ajo e Partisë së Lirisë, për t’i dhënë pushtetin e merituar sovranit, popullit. Shqiptarët kanë në dorë gjithçka dhe njohin fuqinë e votës së tyre. Për gjithë arsyet e sipërcituara, shpreh dëshirën të kandidoj për President të Partisë së Lirisë, në Konventën Kombëtare të datës 27/04/2024”, shkruan Basha.

Pas shpalljes së kandidaturës ka reaguar edhe Meta, i cili, nëpërmjet një prononcim për mediat, tha për kandidaturën e Faik Bashës se e përshëndet gjë që, sipas tij, shpreh “shpirtin e garës”.

“E përshëndes për shpirtin e garës, shpirtin e garës e kemi të lindur. Sa më të fortë i kemi konkurrentët, aq më të mirë bëhemi. Do të fitojmë pa doping”, tha Meta.

Kush është rivali i Metës

Faik Nezir Basha mban aktualisht funksionet si anëtar i Kryesisë së Partisë së Lirisë dhe kryetar i Partisë së Lirisë në bashkinë e Kamzës. Ka përfunduar studimet e larta në vitin 2009, pranë Universitetit Ushtarak “Skënderbej”.

Për 6 vite (2009-2015) ka kryer detyra të ndryshme në radhët e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, duke mbajtur disa detyra të larta si specialist i Mjeteve të Transportit, Tankeve dhe TRBL, shef i Zyrës së Informacionit në Brigadën Logjistike dhe Komandant i Kompanisë së Ruajtjes dhe Sigurisë në Batalionin e Xhenios.

Në viti 2020 iu bashkua “Lëvizjes Socialiste për Integrim”, sot Partia e Lirisë. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, ishte kandidat për deputet në qarkun e Tiranës dhe në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore më 14 Maj 2023, u zgjodh këshilltar i Partisë së Lirisë, në Këshillin Bashkiak Kamzë.

/rtsh.al/