RTSH 24 Live

Kronika

Basha nga Delvina: Jo bashkëqeverisjes me Edi Ramën!

17/04/2021

Basha nga Delvina: Jo bashkëqeverisjes me Edi Ramën!

Kryetari i PD-së Lulzim Basha iu përgjigj negativisht ftesës së kryeministrit socialist Edi Rama për bashkëqeverisje. "Përgjigja ime nga Delvina është jo! Koha Edi Ramës ka mbaruar! Erdhi dita për ndryshimin, për shpresën!" tha zoti Basha para përkrahësve të tij në qytetin e Delvinës. "E la vendin tonë në errësisë, në varfëri dhe mjerim, mos ja hapni derën dështimit për herë të tretë, nuk ka kërcënim më të madh për Shqipërinë  që edhe katër vitet e ardhshme të jenë si 8 vitet e para. E ka kuptuar shpresën që është ndezur në zemrat e shqiptarëve. Ai e kupton se ne do të bëjmë realitet të gjitha premtimet tona. Tani kërkon të bëhet pjesë e qeverisjes sonë" tha zoti Basha.
Sipas liderit të opozitës "Ndryshimi nuk do të vijë pa larguar Edi Ramën. Le të bëhemi bashkë krah për krah, duke përfshirë qindra mijëra socialistë të ndershëm dhe t’u themi që ndryshimi do të na bashkojë. Qeveria e ardhshme do të jetë e njerëzve, të gjithë do të përfitojnë në arsim, ekonomi , shëndetësi dhe rritje pagash. Votoni numrin 9" bëri thirrje zoti Basha.

Mbrëmjen e së premtes ai ju premtoi shqiptarëve se nëse i jepet besimi, do të jetë kryeministër i të gjithëve, pa dallim. “Jemi bashkë për vendin tonë, për familjet, për ndryshimin. Ky është vendi ynë, Shqipëria është vendi i të gjithë qytetarëve të Shqipërisë. Ky është vendi ynë dhe ju takon ju, qytetarëve të Shqipërisë, nuk i takon as njërës dhe as tjetrës parti. Ky është Atdheu ynë i përbashkët! Ju jeni motrat dhe vëllezërit tanë, ne jemi një komb, një familje, edhe ju e keni të shtrenjtë Shqipërinë. Ne përballemi me të njëjta probleme, ne të gjithë bashkë kemi një mision, një dëshirë, një aspiratë, ta bëjmë të ardhmen e fëmijëve tanë më të mirë. Unë ju garantoj se do të jem kryeministër i të gjithë shqiptarëve. Ne do të kujdesimi për të gjithë. Unë e di që ne së bashku do ta sjellim ndryshimin që Shqipëria ka nevojë. Në fakt ndryshimi është këtu mes nesh, shpresa është më afër se kurrë, është thjesht çështje ditësh!” tha kreu i PD Lulzim Basha.