Kryetari i PD Lulzim Basha, deklaroi të mërkurën në një konferencë shtypi se ka një përpjekje sa absurd, po aq edhe tinëzare, për të ndërtuar struktura paralele me SPAK-un, që është paralajmëruar që në janar nëpërmjet një komisioni monitorimi.
Sipas tij, kjo është një përpjekje absurde, jo-kushtetuese, me qëllim për të vendosur nën kontroll politikë të vetmen instance, e cila duket se është pjesërisht është jashtë kontrollit të qeverisë.
“E kanë bërë në një mënyrë tinëzare. E kanë hedhur njëherë poshtë rrogozit, pastaj janë përpjekur ta zhbëjnë. Partia Demokratike qëndron fuqimisht kundër çdo përpjekje të kësaj shumice, me çfarëdo lloj aleatësh të fshehur apo jo, në pazar apo jo, për të filluar presionet e hapura institucionale kundër SPAK-u", tha Basha.
Nga ana tjetër, Basha tha se edhe një strukturë paralele po krijohet në Parlament, për të zëvendësuar Komisionin Bi-partizan të Reformës Zgjedhore. Sipas tij, ajo është një strukturë memece, sekrete dhe larg syrit të medias.
“Kemi më pak se dy muaj kohë nga nisja e fushatës për zgjedhjet e ardhshme parlamentare nëse ato mbahen në afatet e përcaktuara të Kodit Zgjedhor, pas pazarit mes palëve për të prishur Komisionin e Reformës Zgjedhore. Nuk ka asnjë transparencë në raport me arritjet e deritanishme. Përkundrazi, ka një strukturë paralele që duket qartë se ka si mision vetëm të çojë deri në fund pazarin, për të mbajtur në fuqi të marrëveshjes famëkeqe kushtetuese të 2008-ës dhe një komplot kundër votës së shqiptarëve, duke u mohuar shqiptarëve listat e hapura, si dhe duke fundosur shpresat e shqiptarëve jashtë vendit për të marrë pjesë aktivisht në demokracinë shqiptare”, tha Basha.
/rtsh.al/