RTSH 24 Live

Politikë

Basha: Aleanca e 'trekëndëshit kundër drejtësisë', vazhdon në koordinim betejën

16 orë para

Basha:  Aleanca e 'trekëndëshit kundër drejtësisë', vazhdon në koordinim betejën

Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, deklaroi të premten se aleanca e trekëndëshit kundër drejtësisë vazhdon në koordinim betejën e saj.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, shoqëruar edhe me një video, Basha shkruan se: “’Dhëmb për dhëmb’ me drejtësinë, herë njëri e herë tjetri, por gjithçka në koordinim për t’i bërë presion dhe për ta shantazhuar”.

“Njëri çon militantët, tjetri administratën. Njëri e sulmon, tjetri bën sikur e mbron. Refuzimi i Policisë për të mbrojtur institucionet e Drejtësisë është një akt i rëndë, i kryer me vetëdije dhe qëllim, i cili nuk mund të kalohet pa përgjegjësi ligjore dhe politike.”, shkruan Basha.

Sipas tij, vetë institucionet e Drejtësisë kanë të gjithë autoritetin për të nisur ndjekjen penale ndaj shkelësve të ligjit, duke filluar nga protestuesit e deri te urdhëruesit, për të vijuar me drejtuesit e Policisë, ministrin dhe deri te kryeministri.

"Qytetarët, jam i bindur, do t’i ndëshkojnë me votën e tyre më 11 maj dhe do të hapin një faqe të re, ku të gjitha institucionet luftojnë korrupsionin dhe nuk e mbrojnë atë." mbyll postimin Basha.

/rtsh.al/