RTSH 24 Live

Politikë

Bardhi: Drejtori i Policisë Shkodër është emëruar nga krimi. Sulaj: Shpifje! Do përballesh me ligjin

12/09/2024

Bardhi: Drejtori i Policisë Shkodër është emëruar nga krimi. Sulaj: Shpifje! Do përballesh me ligjin

Një përplasje në distancë ka ndodhur mes deputetit demokrat Gazment Bardhi dhe Drejtorit të Policisë Shkodër Edmond Sulaj. Nga Kuvendi Bardhi akuzoi se Sulaj ishte emëruar nga bandat kriminale dhe përmendi disa nga bisedat e zbardhura nga SKY ECC.

Bardhi tha se bisedat i përkasin vitit 2023, por në reagimin e kryepolicit të Shkodrës Edmond Sulaj tha se bisedat ishin të 2021 dhe se emërimi i tij ka ndodhur 3 vite më vonë se periudha kohore së cilës i referohet deklaruesi.

“Në fakt Mondi është drejtori aktual i policisë Shkodër që u emërua një muaj pasi ky miku i ministrit të Brendshëm është përfaqësues i një prej bandave më të rrezikshme në vend u bë ministër i Brendshëm. Dhe vjen ti këtu dhe akuzon opozitën, se të thotë që je i lidhur me krimin e organizuar? Patjetër që do japësh llogari”, tha Bardhi.

Duke i cilësuar shpifje deklarimet e Bardhit, drejtori i Policisë Shkodër Edmond Sulaj tha se ai do të përballet me ligjin ku do të depozitojë një kallëzim penal për cenim të figurës së tij.

“Lidhur me disa deklarime të bëra nga një përfaqësues i një subjekti politik në seancën plenare të datës 12.09.2024 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për disa insinuata për emërimin tim Drejtor të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, unë ndiej përgjegjësinë morale dhe profesionale të sqaroj opinion publik se këto deklarata të bëra sot, janë shpifje, të pabazuara dhe synojnë që të cenojnë figurën time në këtë proces të rëndësishëm të hapjes së konkurseve për pozicionet drejtuese në Policinë e Shtetit. Sqaroj opinionin publik se unë Drejtuesi i Parë Edmond Reis SULAJ, jam emëruar në këtë pozicion sipas Urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nr. 6108, datë 11.10.2023. Sqarohet qartësisht se emërimi im, është kryer rreth 3 vite  më vonë se periudha kohore së cilës i referohet deklaruesi. Në vijim, informoj se do të procedoj me hapat ligjorë që parashikon ligji në fuqi, përfshirë edhe depozitimin e një kallëzimi penal”, thuhet në reagimin e Sulajt.

/rtsh.al/