RTSH 24 Live

Ekonomi

Banka e Shqipërisë: Ekonomia në trend pozitiv, ndikon edhe ulja e inflacionit

8 orë para

Banka e Shqipërisë: Ekonomia në trend pozitiv, ndikon edhe ulja e inflacionit

Ekonomia shqiptare edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2025 mbetet e qëndrueshme, e nxitur nga zgjerimi i konsumit, i investimeve dhe i eksportit të shërbimeve.

Drejtori i Departamentit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë (BSH), Erald Themeli, bën me dije se kjo jep edhe sigurinë e parashikimit për një rritje prej 4 për qind për vitin 2025.

"Ne konstatojmë një ecuri të mirë të ekonomisë shqiptare. Investimet e bizneseve kanë pasur një kontribut pozitiv në rritjen ekonomike përgjatë vitit 2024, të ushqyer si nga fakti që kërkesa për mallra dhe shërbime është në tërësinë e vet e lartë. Kjo na inkurajon ne që ekonomia shqiptare do të vazhdojë të ketë një trend pozitiv zhvillimi edhe në vitin 2025," shprehet z. Themeli.

Ulja e inflacionit tregon një zhvillim të balancuar e të qëndrueshëm të aktivitetit ekonomik, thekson Themeli.

"Inflacioni vazhdon të jetë i ulët dhe nën kontroll. Na ka ndihmuar dukshëm edhe forcimi i kursit të këmbimit gjatë periudhës 2023–2024 ka qenë një nga faktorët kryesorë, që ka ndihmuar në vënien në kontroll të inflacionit dhe që të mos jemi shumë agresivë në normalizimin e qëndrimit të politikës monetare," shton drejtuesi i politikës monetare në BSH.

Sigurisht që ambienti i huaj karakterizohet nga pasiguri të shumta dhe kjo bën që Banka e Shqipërisë të vijojë të mbajë një politikë monetare të kujdesshme dhe të dedikuar tërësisht drejt garantimit të stabilitetit të çmimeve në vend, si parakusht i domosdoshëm për një rritje të shpejtë e të qëndrueshme.

Gazetare: Amela Koçerri

/rtsh.al/