RTSH 24 Live

Sport

Auto Moto Park, 5.3 mln euro për Fazën II, hapet gara për infrastrukturën mbështetëse

10/07/2024

Auto Moto Park, 5.3 mln euro për Fazën II, hapet gara për infrastrukturën mbështetëse

Projekti për Auto Moto Park në Elbasan ka kaluar në fazën II. Tashmë Fondi Shqiptar i Zhvillimit po kërkon ngritjen e infrastrukturës mbështetëse.

Të mërkurën ky institucion çeli garën me nje fond limit 531 milionë lekë apo rreth 5.3 milionë euro. Sipas dokumentacionit që shoqëron procedurën do të ndërhyet në katër rrugë të cilat do t’ shërbejnë jo vetëm projektit të Auto Moto Park por edhe komunitetit dhe pjesës turistike në këtë rajon. 

Në shkurt të vitit të shkuar Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor shpalli kompaninë fituese për projektin e Auto Moto Park. Projekti i austriakëve të “Test & Training International” ishte fituesi. 

“Struktura do të ketë në qendër autodromin e parë të përmasave ndërkombëtare në Shqipëri, një pistë multidisiplinore e asfaltuar, me gjatësi rreth 3,800 metra.

Pista do të pajiset me të gjitha homologimet e nevojshme nga FIA dhe FIM, për të mirëpritur aktivitete garuese të niveleve të ndryshme, qoftë ato gara lokale apo ndërkombëtare, në disiplina të larmishme, duke filluar nga Karting e deri te disiplinat më të avancuara të automobilizmit e motoçiklizmit.

Struktura do të ketë edhe pistë offroad për të zhvilluar, në mënyrë të kontrolluar, sportet motorike që ushtrohen jashtë rruge, si Motocross, Trial, Crosscar, Autocross, Rallycross, etj.

Akademia Kombëtare e Sigurisë Rrugore do të jetë gjithashtu në fokus të këtij projekti. E konceptuar për të ofruar më të mirën në fushën e trajnimit mbi sigurinë rrugore, kjo qendër formimi do të përfshijë një infrastrukturë që mundëson kurse trajnimi të niveleve të ndryshme.

Programi formues do të jetë gjithashtu i diversifikuar, duke filluar nga kurset për drejtuesit e zakonshëm të mjeteve, të cilët kërkojnë më shumë siguri në udhëtim, e deri te drejtuesit profesionistë, siç janë drejtuesit e flotave tregtare, transportit të udhëtarëve, forcat e ruajtjes së sigurisë fizike, ata që përdorin mjetet e ndihmës së shpejtë (Polici, Ambulancë, Zjarrfikës, etj.), forcat e Ushtrisë, etj.

Në kuadër të zhvillimit të komunitetit Retro, do të ndërtohet edhe Akademia e Restaurimit të mjeteve historike”.

/ rtsh.al /